Connect with us

Lajme

SHBA do të vazhdojë presionin mbi Serbinë për rastin e vëllezërve Bytyqi

Publikuar

Janë shumë çështje që rëndojnë mbi marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë. Megjithatë, njëra prej tyre rëndon më shumë se të tjerat. E ajo është vrasja e vëllezërve Bytyqi, të cilët ishin shqiptarë të Kosovës me shtetësi amerikane.

E sot kur janë bërë 23 vjet nga vrasja e tyre në Serbi, ata i ka përkujtuar Ambasada e SHBA-së në Beograd, me anë të një postimi në twitter.

“Sot janë bërë 23 vjet që kur shtetasit amerikanë, vëllezërit Bytyqi, të arrestuar janë ekzekutuar nga policia speciale e Serbisë”, shkoi ambasada.

“Ne nuk do ta harrojmë këtë krim dhe sërish thërrasim Serbinë të mbajë përgjegjës ata që kryen dhe mbuluan këto vrasje”.

Këtë deklarim të Ambasadës Amerikane në Serbi, e përforcoi sot edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në Washington.

Ned Price, zëdhënës i Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, duke ripostuar në twittin e Ambasadës Amerikane në Beograd, shkroi se shteti amerikan  do të bëjnë presion për zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi. Ai kërkoi drejtësi për këtë vrasje.

“Kanë kaluar 23 vite pa drejtësi për tre shtetas amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të ekzekutuar derisa ishin në paraburgim, nga policia speciale serbe”, deklaroi ai.

“Ne nuk do të harrojmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë presion për zgjidhjen e këtij rasti”, ka shkruar Price  në twitter.

Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi nga Kosova e shtetas amerikanë, ishin arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të siç pretendonte Beogradi kalimit të paligjshëm të kufirit.

Të tre ata ishin pjesëtarë të UÇK-së, në kuadër të batalionit “Atlantiku”.

NA NDIQ NË FACEBOOK