Connect with us

Religjion

Sfidat dhe sprovat e të nxehtit të verës

Publikuar

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër të respektuar!

Hutbeja e sotme titullohet: “Sfidat dhe sprovat e të nxehtit të verës”

Prapa nesh kanë mbetur ditët e bekuara të muajit dhul-hixhxhe dhe të Bajramit të Kurbanit, ditët kur me bereqetin e asaj kohe dhe të ibadetit në të, me lehtësi jemi ruajtur nga veprat e këqija. Mirëpo ditët të cilat po i kalojmë dhe të tjerat që po na vijnë, janë ditët e nxehta të verës të cilat me vete sjellin edhe sfida dhe sprova të caktuara. Ne këtu do t’i veçojmë vetëm tri.

1. Shikimi në auret (pjesët e turpshme të trupit)

Shejtani i fërkon duart e tij duke iu gëzuar turmës së atyre të cilët e dëgjojnë atë dhe e zbulojnë auretin (pjesët e turpshme të trupit) dhe ua tregojnë të tjerëve. Nëpër rrugë mund të shohim turma të atyre të cilët shkojnë pas pëshpëritjeve të shejtanit duke ecur nëpër rrugë gjysmë-lakuriq. Brengos fakti se në mesin e asaj mase të madhe, një numër i madh i meshkujve me kënaqësi dhe epsh, pa turp, i përcjellin me shikim femrat kalimtare gjysmë-lakuriqe.

Transmetohet nga Ebu Umame (r.a.), se një djalosh kishte ardhur te Pejgamberi savs dhe kishte kërkuar leje prej tij që të ushtronte marrëdhënie të paligjshme me femra të huaja. Pejgamberi (savs), deshi fillimisht ta edukonte, jo ta dënonte, dhe këtë duke iu drejtua kësaj pike thellë në shpirt:

“A pranon që dikush ta bëjë këtë me nënën tënde?” – e pyeti. “Jo!”  – iu përgjigj. “As njerëzit nuk duan që dikush t’ua çnderojë nënat!” – ia ktheu i Dërguari i Allahut. Pastaj e pyeti nëse do ta pranonte një gjë të tillë për vajzën, gruan, hallën dhe tezen e tij! Në të gjitha këto raste përgjigja ishte negative. Kështu, nëse nuk do që të tjerët ta çnderojnë nënën, vajzën, motrën, hallën, tezen, as ti mos ua çndero atyre ato.” (Transmeton Ahmedi)

Ashtu sikur që askush prej nesh nuk do të dëshironte të bëhej zina (kurvëri) me nënat tona, vajzat tona, me bashkëshortet dhe motrat tona, po kështu është puna edhe me shikimin me pasion. Askush nga ne nuk do të lejonte që tjetri t’i shikojë me pasion nënat tona, vajzat, gratë, motrat tona, kurse edhe ajo femër të cilën ne e shikojmë me pasion, është nëna, vajza, gruaja dhe motra e dikujt.

Allahu i Madhërishëm ka urdhëruar që të ruhemi nga shikimi me pasion duke thënë: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata. Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme…” (en-Nûr, 30-31)

Shikimin me pasion të personit të gjinisë së kundërt, Pejgamberi (savs), e ka karakterizuar si zina (kurvëri) duke thënë: “Edhe sytë bëjnë zina (kurvëri). Zinaja e tyre është shikimi me pasion i personit të gjinisë së kundërt.”

Allahu i Plotfuqishëm, në Kuran thotë: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” (el-Isra’, 36)

2. Zbulimi (ekspozimi) i auretit

Vëllezër të dashur!

Allahu i Plotfuqishëm e ka ndaluar zbulimin dhe ekspozimin e auretit. Të gjitha ndalesat e Allahut janë të mëdha. Ne shpesh e minimizojmë madhësinë e këtyre ndalesave. Kështu është edhe me ndalimin e zbulimit të auretit.

Le ta imagjinojmë një situatë, sikur në shtëpi të na vjen një vizitor qoftë i njohur apo i panjohur, dhe të na propozojë që gruaja jonë, vajza apo motra, për një kohë të shkurtër, të vishet me rroba të shkurtra dhe sfiduese, me minifund, me nënkëmishë dhe rroba banje, ashtu që vizitori të kënaqet duke e shikuar. Si do të ndiheshim, e të mos flasim, se si do të ndjehej gruaja, vajza dhe motra jonë?! Të paktë janë ata që këtë vizitor nuk do ta dëbonin nga shtëpia, e edhe më pak janë ata që do ta bënin atë që kërkohet prej tyre.

Gratë tona, vajzat, motrat, shpesh në temperatura të larta, vetë e zbulojnë auretin e tyre dhe e ofrojnë shikimin në trupin e tyre të zhveshur, pa e kërkuar askush prej tyre, duke mos menduar për madhësinë dhe peshën e këtij mëkati.

“… Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.” (el-Haxhxh, 46)

3. Pushimi vjetor

Vëllezër të respektuar!

Shumica e njerëzve pushimet e tyre vjetore i shfrytëzojnë për të vizituar vende të ndryshme, të zgjedhura me ndikimin e faktorëve të ndryshëm.

Si muslimanë, ne jemi të detyruar të mos harrojmë, se udhëtimi është një aktivitet për të cilin do të merremi në pyetje, në Ditën kur do të qëndrojmë para Zotit tonë.

Udhëtimi në Islam lidhet për haxhillëkun, për xhihadin, për kërkimin e diturisë, për thirrje në Islam, përkatësisht, për promovimin e mesazheve të Islamit, për admirim me krijimin e Allahut të Plotfuqishëm, për të marrë mësime nga ajo që ka ndodhur me popujt e më hershëm. Kurani në disa vende urdhëron për udhëtime dhe vizita nëpër Tokë: “Thuaj: “Udhëtoni nëpër botë e shihni çfarë dënimi kanë marrë ata që përgënjeshtronin (të dërguarit).” (el-En’âm, 11)

Kurse në një ajet tjetër thuhet: “Thuaj: “Udhëtoni nëpër botë e shikoni si ka qenë fundi i keqbërësve!” (en-Neml, 69)

Nuk ekziston ‘pushim’ në jetën e muslimanëve, që nënkupton lënien e urdhrave të Allahut, shkeljen e ndalesave të Tij, apo të kemi qëndrim neglizhent ndaj tyre.

Nëse kemi vendosur për të udhëtuar, atëherë le ta bëjmë këtë me bindje ndaj Allahut, për shembull duke kryer umren: “Umra deri te umra tjetër është shpagim për atë që ka ndodhur mes tyre! (Buhariu, Muslimi)

Ose le të udhëtojmë për t’i vizituar familjen, të afërmit apo miqtë dhe kështu të fitojmë shpërblim të vlefshëm: “… Që të dojë Allahu ty, ashtu siç i ke dashur ti ata në emrin e Tij.” (Muslimi).

Ose gjatë udhëtimit tonë të meditojmë për ajetet e Allahut dhe kështu ta rrisim dhe forcojmë imanin tonë: “Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin. Pastaj do të jetë Allahu që do të bëjë krijimin e dytë (ringjalljen). Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (el-Ankebût, 20)

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që ditët e nxehta verore t’i kalojmë në atë mënyrë me të cilën Ai do të jetë i kënaqur me ne! Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK