Connect with us

Religjion

Ja çka fitojmë me dërgimin e salavatit mbi pejgamberin tonë Muhamedin (savs)

Published

on

Se dërgimi i salavatit mbi Pejgamberin tonë të dashur Muhamedin (savs), është vërtetë bamirësi e madhe dhe obligim i yni, mund të shihet nga shumë ajete të Kuranit, e njëri prej tyre është edhe ajeti 56, i sures el-Ahzab, ku Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Me të vërtetë, Allahu e mëshiron Pejgamberin, e melekët e Tij lutën për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndetni atë me “salatë” dhe “selam”!

Transmetohet nga Mesud el-Ensari (r.a.) se ai një herë ishte ulur në shoqërinë e disa sahabëve, kur në mesin e tyre erdhi Resulullahu (savs), dhe kjo ishte pas urdhrit të Allahut për të dërguar salavate mbi Pejgamberin (savs). Beshir ibn Sadi ishte më i shpejti dhe më i vendosuri, andaj e pyeti Pejgamberin duke thënë: “Allahu i Plotfuqishëm na ka urdhëruar që të dërgojmë salavate mbi ty, o Dërguari i Allahut! Pra, si do të dërgojmë (në çfarë mënyre) salavate mbi ty?”

Pejgamberi (savs) pasi bëri një heshtje të gjatë, tha:

“Thuaj: Allahumme sal-li ‘ala Muhamedin ve ala ‘ali Muhamed, kema sal-lejte ‘ala Ibrahime ve ‘ala ‘ali Ibrahim, ve barik ‘ala Muhamedin ve ‘ala ‘ali Muhamed, kema barekte ‘ala Ibrahime ve ‘ala ‘ali Ibrahim, fil-‘alemine, inneke hamidun mexhid.

“O Zot, ki mëshirë ndaj Muhamedit, bashkëshorteve të tij dhe pasardhësve të tij, siç pate mëshirë ndaj familjes së Ibrahimit, dhe bekoje Muhamedin, bashkëshortet e tij dhe pasardhësit e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit. Vërtet, Ti je i Lavdëruar dhe i Madhëruar.” Ndërsa sa i përket selamit (përshëndetjes), bëjeni atë në mënyrën që ju e dini.” (Muslimi, kapitulli mbi selamin)

Në një transmetim tjetër të cilin e transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Imam Ahmedi, i Dërguari i Allahut (savs) i mëson shokët e tij që në namaz, pas Ettehijjatu, por para se të jepet selam, të lexohet salavati me përmbajtje të ngjashme. Ky është ai salavati që ne e lexojmë në namaz dhe i cili gjendet në të gjitha ilmihalet tona dhe librat e fikhut.

Është detyra jonë që ta përmendim Pejgamberin tonë edhe jashtë namazit dhe mbi të të dërgojmë salavate. Është e dëshirueshme që të dërgojmë salavate (me zemër dhe me gjuhë) sa herë që dikush, në shoqërinë tonë, e përmend Pejgamberin tonë (savs).

Me atë rast, ne mund të lexojmë edhe forma më të shkurtra të salavatit, si: “Allahumme sal-li ‘ala Muhamed ve ‘ala ‘ali Muhamed”; apo “Sal-lallahu alejhi ve sel-lem”, apo “Alejhisselam”, e të ngjashme.

Për secilin salavat të dërguar sinqerisht nga ne për Pejgamberin (savs), ne me të vërtetë do të kemi dobi të mëdha të cilat do të na 10 fishohen, siç thuhet në hadith autentik.

Muslimanët duke lexuar salavate për Pejgamberin Muhamed (savs), ata drejtpërdrejt i begatojnë me salavat dhe i përmendin edhe anëtarët e familjes së tij.

Është me të vërtetë bukur t’i shohësh muslimanët si ndjekës të sinqertë të Muhamedit (savs) duke e përmendur shpesh Pejgamberin e tyre me salavat. Ata e bëjnë këtë në fillimet dhe mbaresat e lutjeve të tyre, pas ezanit, pas namazit, të premten, në prag të premtes, dhe si në kuadër të lutjeve të tyre të mëngjesit dhe të mbrëmjes.

Nuk ka në botë asnjë njeri që kaq shumë është bekuar, përshëndetur dhe përmendur siç është rasti me pejgamberin e fundit të Allahut, modelin dhe mësuesin tonë të besueshëm, Muhamedin (savs).

Ai do të jetë shefaatbërës për shumë njerëz në Ditën e Gjykimit. Ai është, siç thotë Kurani fisnik, “rahmeten lil ‘alemin”, i dërguar si “mëshirë për të gjitha botët.” Prandaj, kjo “mëshirë” meriton të përmendet, të duhet dhe të ndiqet më shumë se çdokush tjetër në mbarë rruzullin tokësor.

Prandaj, ne Pejgamberin tonë e duam, e përmendim dhe sinqerisht, për aq sa jemi në gjendje, e ndjekim. Ai është modeli ynë më i madh, ai për të cilin ne sakrifikohemi dhe ai të cilit me mburrje ia ndjekim këshillat dhe rekomandimet.

Dhe krejt në fund, të lutemi sinqerisht:

O Zot, ki mëshirë ndaj Muhamedit, bashkëshorteve të tij dhe pasardhësve të tij, siç pate mëshirë ndaj familjes së Ibrahimit, dhe bekoje Muhamedin, bashkëshortet e tij dhe pasardhësit e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit. Vërtet, Ti je i Lavdëruar dhe i Madhëruar.

O Zot, na ndihmo neve në shprehinë dhe praktikën e sinqertë, që çdo ditë të dërgojmë salavate mbi të Dërguarin Tënd Muhamed, ta ndjekim sunetin e tij në mënyrë të përpiktë, dhe t’i duam të gjithë shokët e tij dhe familjen e tij të nderuar!

Allahumme salli ‘ala nabijjina Muhamedin ve ‘ala alihi ve sahbihi exhme’in!

Përkthim: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK