Connect with us

Lajme

Prostitucion, drogë dhe armë në një hotel në Tiranë/ Policia arreston 7 persona, mes tyre pronarin dhe 2 gra

Published

on

Shtatë persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi kishin përshtatur ambientet e një hoteli për shfrytëzim prostitucioni si dhe për përdorimin e drogës.

Sipas policisë, në pranga është vendosur dhe pronari i hotelit, shtetasi me iniciale P.H. 52 vjeç.

Gjatë kontrolleve të policisë, në njërën prej dhomave të hotelit është gjetur një sasi kokaine, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Gjithashtu u gjetën dhe një sasi parash dhe peshore elektronike.  Mësohet se në hotelin e 52-vjeçarit, ushtrohej dhe prostitucioni.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Triple”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Goditet një rast i mbajtjes së ambienteve për prostitucion dhe i përshtatjes së tyre për përdorim droge.  Gjithashtu, goditet edhe një rast i armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohen armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në doza, shuma parash të dyshuara të përfituara nga aktiviteti kriminal, dy aparatura DVR, dy peshore elektronike dhe katër aparate celulare.

Vihen në pranga 7 shtetas, mes tyre pronari i hotelit.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas kishte përshtatur hotelin e tij për përdorim droge, ushtrim prostitucioni dhe se mbante armë zjarri në ambientet e hotelit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Triple”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– P. H., 52 vjeç, banues në Tiranë, për veprat  penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

– I. Sh., 41 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

– M. M., 35 vjeçe dhe F. K., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prostitucioni”;

– V. B., 54 vjeçe, D. L., 35 vjeç dhe R. S., 23 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në njërën prej dhomave ku zhvillohej veprimtaria e kundërligjshme e prostitucionit, është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, shuma parash të dyshuara të përfituara nga këto veprimtari kriminale, dy aparatura DVR, dy peshore elektronike dhe katër aparate celulare, që u gjetën në ambientet e tjera të hotelit në pronësi të shtetasit P. H.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

g.kosovari

NA NDIQ NË FACEBOOK

Click Here To Join Native Media