Religjion
Shenjat që Allahu i ka pranuar ibadetet dhe veprat tona të mira

Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut të Plotfuqishëm për të gjitha begatitë që na ka dhënë. Falënderim të veçantë i shprehim për begatinë e ramazanit dhe të bajramit.
I dërgojmë salavat dhe selam të Dërguarit të fundit dhe të dashurit të Allahut, Muhamedit (a.s.), familjes së tij, sahabëve të tij, dhe të gjithë robërve të mirë të Allahut.
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Tema e hutbes së sotme është: “Shenjat që Allahu i ka pranuar ibadetet dhe veprat tona të mira”
Tani, pasiqë e kemi kaluar edhe ramazanin edhe bajramin, çdo musliman dhe muslimane, çdo i penduar – veçanërisht nëse pendimi i tij është i lidhur me ramazanin e bekuar – ka dëshirë të dijë, nëse Allahu i Plotfuqishëm ia ka pranuar pendimin (tevben) dhe veprat e tij të mira. Lidhur me këtë, dijetarët islamë kanë përmendur disa shenja që tregojnë se ibadetet dhe veprat e mira janë pranuar nga Allahu i Plotfuqishëm.
Shenja e parë e pranimit të veprave të mira është, që njeriu të mos kthehet në mëkat pas pendimit dhe pas bindjes ndaj Allahut, sepse kthimi në mëkat është shenjë e falimentimit.
Jahja bin Muadhi ka thënë: “Kush kërkon falje me gjuhën e tij, ndërsa zemra e tij është e lidhur për mëkat dhe vendosmëri për t’u kthyer në mëkat pas muajit të ramazanit, dhe kthehet, atëherë agjërimi i tij refuzohet dhe dera e pranimit të ibadetit dhe veprave të mira është e mbyllur para tij.”
Shenja e dytë është, shqetësimi dhe frika se mos Allahu nuk do t’ia pranojë veprat e tij të mira, sepse Allahu është i pavarur nga ibadetet tona dhe bindja jonë, siç na ka thënë në Kuran: “… Kush është falënderues, e bën për të mirën e vet dhe, kush mohon, ta dijë se vërtet Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për lavdërim.” (Lukman, 12)
Shenja e tretë është, që besimtari, pasi të bëjë një vepër të mirë, të drejtohet në një të mirë të re, pra të vazhdojë të bëjë vepra të mira.
Shenja e katërt është, që besimtari veprat e tij të mira t’i sheh si të parëndësishme dhe mos ta pushtojë ndjenja e vetë-admirimit për veprat e mira, sepse, pavarësisht nga sasia dhe madhësia e veprave të tij të mira, besimtari e di se veprat e tij të mira, nuk do të thonë asgjë, në krahasim me begatitë e panumërta që ia ka dhuruar Allahu i Plotfuqishëm.
Shenja e pestë është, shpresa se Allahu do t’ia pranojë ibadetet dhe veprat e mira, dhe këmbëngulja në lutje. Nuk mjafton vetëm frika nga dënimi i Allahut, pa shpresë në mëshirën dhe faljen e Tij. Frika pa shpresë na shpie në dëshpërim, kurse shpresa pa frikë na çon në siguri nga dënimi i Allahut, dhe të dyja këto janë të qortueshme. Jeta e besimtarit zhvillohet mes frikës nga ndëshkimi i Allahut dhe shpresës në mëshirën dhe faljen e Tij.
Shenja e gjashtë është, dashuria ndaj ibadetit dhe veprave të mira, urrejtja ndaj mëkatit dhe mosbindjes ndaj Allahut, siç thuhet në ajetin kuranor: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (err-Rra’d, 28)
Shenja e shtatë e pranimit të veprave të mira është, dashuria për besimtarët e sinqertë dhe për njerëzit e mirë. Kur Allahu i Plotfuqishëm ia pranon veprat e mira dikujt, Ai zemrën e tij ia mbush me dashuri për besimtarët.
Shenja e tetë e pranimit të veprave të mira është, këmbëngulja në bindje ndaj Allahut dhe në kryerje të veprave të mira. I Dërguari i Allahut (savs), ka thënë: “Veprat e mira më të dashura tek Allahu janë ato që janë të vazhdueshme, edhe nëse janë të vogla” (Buhariu dhe Muslimi)
E lusim Allahun e Plotfuqishëm, që të na bëjë prej atyre që ua ka pranuar ibadetet dhe veprat e mira, dhe të cilëve ua ka pranuar pendimin dhe ua ka falë mëkatet!
E lusim Allahun e Gjithmëshirshëm, që të na pranojë pendimin, istigfarin, namazin, agjërimin, sadakatul fitrin, zekatin, leximin e Kuranit dhe të gjitha veprat e tjera të mira!
E lusim Allahun e Plotfuqishëm, që të na e bëjë të dashur ibadetin dhe bindjen ndaj Tij, kurse të na e bëjë të urrejtur mëkatin dhe mosbindjen, si dhe të na bëjë të qëndrueshëm në kryerjen e veprave të mira deri në vdekje! Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini























