Religjion
Hutbe – Bajrami i Ramazanit

(Versioni i shkurtuar)
Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe të gjithë pasuesit e tij. /Tekbir 1/
Vëllezër të dashur!
Falënderojmë Allahun e dashur, që dolëm me sukses nga ramazani. Nuk e them këtë pse jemi të lumtur që mbaroi ramazani, por sepse jemi të kënaqur që ramazani kaloi dhe ne i kemi shfrytëzuar begatitë e tij. Tani, falë Zotit, jemi njerëz më të mirë. Përmes agjërimit dhe teravisë jemi pastruar nga mëkatet, kurse përmes agjërimit, Kuranit, dhikrit dhe lutjeve, përmes namazeve të rregullta dhe nafile, përmes zekatit, sadekatul-fitrit dhe sadakkave të tjera, ne e kemi ngarkuar mbi shpinë një barrë të rëndë të veprave të mira. Gjatë ramazanit, ne i jemi lutur, madje edhe sot i lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që veprat e mira të na i pranojë, të na i bëjë kabull dhe të na i shkruaj sevap. /Tekbir 2/
Përmes agjërimit, gjatë të cilit jemi përmbajtur nga hallalli dhe harami, ne kemi mësuar se në jetën e kësaj bote nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se të bëjmë durim. Përmes sadakës, të cilën e kemi dhënë me gjithë zemër, ne kemi mësuar se për të jetuar në këtë botë, nuk kemi nevojë për shumë begati, dhe se ka shumë njerëz, të cilët kanë më shumë nevojë për begati sesa ne. Përmes të gjitha këtyre që i përmendem, ne kemi mësuar, se kuptimi i jetës në këtë botë nuk është kënaqësia me bukuritë kalimtare, por përgatitja për tu kënaqur me bukuritë e përjetshme. /Tekbir 3/
Vëllezër të respektuar!
Çdo gjë përveç Allahut të Dashur dhe ahiretit e ka fillimin dhe mbarimin e tij. Vetëm Allahu i Madhërishëm, nuk ka as fillim as fund, kurse ahireti ka fillim por nuk ka fund. Jeta jonë në këtë botë, sado e gjatë që të jetë, megjithatë është e shkurtër dhe ka fundin e saj. Ne po e shpenzojmë atë nga viti në vit, në luftë të vazhdueshme për të fituar pasuri; shtëpi, makina, familje, grumbull parash …, shumë shpesh duke mos menduar se e gjithë kjo, një ditë ose do të dështojë ose do t’u lihet të tjerëve, kurse ne në qefine do t’i kthehemi Zotit tonë me duar bosh.
Dhe, pastaj një ditë Allahu do të na pyesë për jetën e ëmbël që e kemi jetuar. Në atë ditë, kur do të ikin nga ne edhe prindërit, edhe vëllezërit, edhe motrat, edhe gratë, edhe fëmijët tanë, Gjykatësi Suprem do të na pyesë se ku e kemi kapitalin e ahiretit? Ai do të na pyes:
(1) Për jetën tonë – në çka e kemi shpenzuar?
(2) Për rininë tonë – si e kemi kaluar?
(3) Për pasurinë – si e kemi fituar dhe për çfarë e kemi shpenzuar? Si dhe
(4) Për diturinë – se a kemi vepruar sipas saj.“ (Tirmidhiu – hadithi hasen)
Atëherë ne do ta kruejmë kokën dhe do t’i kujtojmë të gjitha rastet, kur u kemi thënë të tjerëve: „Unë nuk kam kohë për namaz! Do të vij në xhami kur të mundem për bajram. Unë do të falem kur të plakem. Unë nuk mund të agjëroj. Do të doja por nuk mundem. Çfarë zekati ore, ai do të m’i hajë të gjitha paratë. Unë jam akoma i ri për haxhillëk…“
Vetëm atëherë do ta kuptojmë se çka është pasuria e vërtetë. Por, asnjë dobi nuk do të kemi pse e kujtojmë atëherë, kur nuk kemi kthim prapa? Çka do të thonë për ne, për shembull, 30 ditët e agjërimit të fundit, 30 teravitë, Nata e Kadrit, dhe shumë begati të tjera, nëse nuk i kemi shfrytëzuar ato? Betohem në Allahun, se kemi pasur kohë për to. Çka do t’i themi Zotit tonë, kur të na pyes për to? Allahu i Madhërishëm vërtet është shumë i Mëshirshëm, por ku është fyryra jonë dhe ku është turpi ynë?
Prandaj, vëllezër!
Le të kemi frikë Allahun, dhe të shikojmë se çka po përgatisim për ahiret! Dhe në këtë kuptim, t’i shfrytëzojmë pesë gjëra, para se të vijnë pesë të tjera:
(1) – Rininë para pleqërisë,
(2) – Shëndetin para sëmundjes,
(3) – Pasurinë para varfërisë,
(4) – Kohën e lirë para preokupimit, dhe
(5) – Jetën para vdekjes. (Hakimi – hadithi sahih)
Dhe le ta dimë mirë, se disa gjëra mund të rregullohen, madje edhe mund të kompensohen, por koha e humbur nuk mund të kthehet më kurrë. Ajo rrjedh si uji në çeshme dhe një ditë do të thahet.
I lutemi Allahut të Plotfuqishëm dhe të Mëshirshëm, që të na i pranojë ibadetet tona të ramazanit dhe të na i regjistrojë në veprat tona të mira! Që të na i falë dhe të na i fshijë mëkatet, si dhe të na shpëtojë nga xhehenemi, dhe të na çoj në xhenetin e bukur! Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini























