Lajme
Presidenti Meta nderon me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Nuhi Berishën

TIRANË- Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta nderoi pas vdekjes me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” martirin e lirisë së Kosovës, Nuhi Berisha. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha kanë frymëzuar brezat me ndjenjat e atdhedashurisë dhe të sakrificës për atdheun.
“Me mirënjohje për rezistencën e pandërprerë dhe heroike ndaj dhunimit të të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve të Kosovës nga shteti shovinist në ish-Jugosllavi, duke dhënë edhe jetën e tij në moshë të re në fushën e betejës.”
Në fjalën e tij drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të nderuara pjesëmarrës në ceremoninë e dekorimit, Presidenti Meta u shpreh gjithashtu se liria dhe pavarësia e Kosovës kanë kërkuar mund dhe sakrifica.




“Liria dhe pavarësia e Kosovës kanë kërkuar shumë mund dhe sakrifica gjatë gjithë historisë sonë kombëtare. Shtypja, dhuna dhe terrori i ushtruar ndaj popullsisë së Kosovës ishte tepër i rëndë dhe sistematike, por shqiptarët e Kosovës gjatë gjithë kësaj kohe gjetën të gjitha mënyrat të organizohen dhe të rezistojnë deri në çlirimin dhe pavarësinë e saj.
Populli i Kosovës dhe bijtë e saj më të mirë, në kohën e duhur ditën të gërshetojnë qëndresën e tyre me protesta, demonstrata, rezistencën paqësore, me krijimin e aleancave me miqtë në botë, por kur e deshi nevoja, edhe me luftë të armatosur.
Pavarësia e Kosovës do të vonohej ndoshta edhe më shumë, sikur të mos ishin bijtë dhe bijat ndër më të mirët e saj, që guxuan dhe që treguan aq shumë trimëri e mençuri, për ta nxjerr atë kryelartë përpara historisë, me pushkë dhe me penë, me jetë dhe me gjak.
Për këto merita të mëdha flet historia, e ndër ata që ka hyrë në histori është edhe veprimtari i shquar dhe i paharruar Nuhi Berisha, për të cilin jemi mbledhur, për ta nderuar.
Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala, janë dy emra të shquar të historisë më të re të Kosovës. Ata i lidhi dhe i bëri të pandashëm ideali i tyre i përbashkët.
Ata zhvilluan veprimtarinë e tyre kombëtare dhe patriotike deri në ditët kur ekspeditat e mëdha policore serbe i rrethuan në Kodrën e Trimave në Prishtinë, ku banonin të dy së bashku. U përbetuan të mos bien në duar e policisë serbe dhe bënë luftë më 11 dhe 12 janar 1984.
Luftuan dhe ranë heroikisht me pushkën në dorë, për të mbetur përjetësisht në gurët e themelit të Kosovës së lirë edhe të pavarur.
Ata luftuan për Atdheun që të gëzoi lirinë, sepse historia i kishte mësuar që popujt që nuk luftojnë zhduken, kurse ata me asnjë çmim nuk donin jo vetëm që populli ynë të zhduket, ata ishin të bindur në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që e gëzojnë gjeneratat e sotme.
Prandaj, ata mbeten të pavdekshëm. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha kanë frymëzuar brezat me ndjenjat e atdhedashurisë dhe të sakrificës më sublime për komb e atdhe.
Pas vlerësimit të mëhershëm për Rexhep Malën, sot kam kënaqësinë që të vlerësoj bashkëluftëtarin e jetës dhe të idealit të tij, si dhe frymëzuesin e brezave të rinj për atdhedashuri dhe sakrifice sublime për lirinë e Kosovës, Nuhi Berishën me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”. Lavdi të përjetshme kujtimit të prijësve të shquar të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës!”
(j.c)/dosja.al
The post Presidenti Meta nderon me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Nuhi Berishën appeared first on Dosja AL.





















