Connect with us

Religjion

Namazi i personit që pi alkool

Publikuar

Pyetje: Çka thoni për një njeri i cili pi alkool dhe fal namaz?

Përgjigje nga Dr. Jusuf El-Kardavi:

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.

Kjo është, me të vërtetë, për të ardhur keq. Pasiqë namazi i mirëfilltë siç përcaktohet nga Allahu i Plotfuqishëm, ndalon nga imoraliteti dhe e keqja. Këtë e thotë Allahu i Plotfuqishëm dhe i Dërguari i Tij:

“… Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe…!”(el-Ankebut, 45)

Dhe alkooli, pa dyshim, është një nga të këqijat më të mëdha, për shkak të dëmtimit të mendjes, shëndetit, pasurisë dhe personalitetit, si dhe për ndikimin e tij në familje dhe në shoqëri.

Në qoftë se një njeri e ka besimin e dobët, bindjen e dobët, fenë e cektë, ndodh që shejtani i tij e tundon me pirje të alkoolit, kurse alkooli – sido që të jetë – sipas shumicës së dijetarëve është i papastër, dhe dehja prej tij e pengon nga falja e namazit, siç thotë Allahu i Plotfuqishëm:

“O besimtarë! Mos u falni kur jeni të dehur, prisni të kthjelloheni e të dini se ç’flisni…”(en-Nisa, 43)

Nëse pasi të zgjohet nga dehja, i lanë gjurmët e alkoolit, merr abdes dhe fal namaz, shpresohet se me vullnetin e Allahut, namazi i tij në vetvete është i pranueshëm, dhe se një ditë ai do ta ndalojë atë nga kjo e keqe dhe do ta frenojë nga ky veprim.

Ai e zbaton një farz, e ky është namazi, por e kryen edhe një krim, e kjo është pirja e alkoolit. E para është vepër e mirë, kurse e dyta është veprim i keq. Allahu i Plotfuqishëm do t’i kërkojë llogari njeriut edhe për veprat e mira edhe për veprat e këqija. Të gjitha me masë të caktuar pa i prishë as zvogëluar asnjë grimcë. Veprat e tij të mira i janë ruajtur, por edhe mëkatet e tij i janë shkruar.

“Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërmijë, do ta shohë atë; e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërmijë, do ta shohë atë.” (ez-Zelzele, 7-8)

Namazet i janë regjistruar në favor të tij, por edhe pirja e alkoolit – nëna e të këqijave – është shkruar kundër tij…

Nuk mund t’i themi atij: Për sa kohë je duke pirë alkool, lëre namazin … sepse ai që fal namaz ka shpresë, me vullnetin e Allahut, se do të ndalohet dhe do të përmbahet nga nëna e të këqijave.

Nëse më pyesni mua: Cili është më i mirë, një njeri që pi alkool dhe nuk falet, apo një njeri që pi alkool dhe falet?

Unë them: Ai që pi alkool dhe falet, gjithsesi është më i mirë dhe më pak i keq se ai tjetri … sepse për këtë shpresohet e mira, edhe nëse është larg nga falja e mirëfilltë e namazit bashkë me pirjen e alkoolit, dhe larg nga ruajtja e tij (namazit) siç e bëjnë besimtarët, të cilët Allahu i përshkruan me fjalët:

“…Dhe të cilët e kryejnë rregullisht namazin e tyre.” (el-Muminune, 9).

Ka dallim midis atij që qëndron gjatë natës dhe gjuha e tij është e njomë me përmendjen e Allahut të Plotfuqishëm, dhe midis atij që flen gjatë natës dhe goja e tij është e lagur me nënën e të këqijave dhe e mbushur me erën e saj .. pa vetëdije, me arsye të humbur… dhe dallimi midis këtyre dyve është shumë i madh.

Përkthim: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK