Lajme
Ja kush janë 5 Personat që mund të fitojnë kundër Berishës në garën për Kreun e PD

Partia Demorkatike si kurrë më parë në historinë e saj, është me kryetar të komanduar, dhe se kur do të votohet kryetari i ri, ende nuk dihet pasi në selinë blu ka disa grupe dhe bashkimi i tyre nuk duket në horizont. Cilat mund të jenë figurat që mund të rivalizojnë nga brenda ose të paktën nga elektorati demokrat ish-kryeministrin Sali Berisha?
“Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku, Fatbardh Kadilli, por edhe figura si Genc Ruli dhe Jozefina Topalli, të kontestuara më parë që edhe po mos të mos zgjidhen të paktën e bëjnë diskutimin brenda partisë në një kalibër tjetër. Mos mendojmë se Berisha është i pazëvendësueshëm”,-thotë analistja Edlira Gjoni
Sali Berisha është në seli, kurse Lulzim Basha në bazë. Analisti Plator Nesturi, thotë se nuk po ndodh ribashkim i PD-së. ”Po anashkalohet e nxirret në rrugë pala tjetër që nuk i përket komisionit të rithemelimit, duke i prerë të gjithë rrugët e mënyrat e komunikimit që të degdiset në rrugën e vet, pa asnjë element që çon në bashkimin e palëve”.
Kurse Edlira Gjoni thekson se PD nuk ka alternativë tjetër veç bashkimit, por kjo rrugë për të është shumë e gjatë dhe nuk shpreson që kjo forcë politike të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme.
”PD nuk ka alternativë tjetër veç bashkimit, nëse do të vijë në pushtet ky është kusht, por se kur do të ndodhë. Nuk besoj që do të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme se dëmi në elektorat është shumë i thellë. Asnjëherë PD nuk vjen në pushtet vetëm me votat e saj por i duhet edhe elektorati gri. Dallimi i PD me PS është te votat fikse. Duhet elektorat në gjendjen që është nuk e arrin dot këtë. Unë shpresoj që në zgjedhjet e ardhshme të kenë hedhur hapin e parë drejt zgjedhjeve të tjera, por në këtë mënyrë si po shkon fragmentizimi i PD, që tani është qesharak dhe i lidhur me interesat e palëve do të jetë një rrugë e gjatë”.
















