Lajme
Borë dhe shi në Kukës, rrezik nga rënia e gurëve dhe inerteve

KUKËS– Në qarkun e Kukësit vijojnë ende reshjet e borës në zonat malore dhe temperaturat e ulëta. Në Shishtavec, gjithçka është mbuluar nga bardhësia e borës. Veç reshjeve të dëborës në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë zonat e ulëta të Kukësit gjatë këtyre ditëve.
Sipas Komisionit të Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës Kukës, rrugët nacionale vazhdojnë të jenë nën rrezikun e rënies së gurëve dhe inerteve. Aktualisht të gjitha akset nacionale janë të kalueshme normalisht. Kontraktorët janë në gatishmëri për pastrimin e rrugëve në qytet dhe në zonat rurale.
Mungesë të energjisë elektrike ka në fshatrat Shtrezë, në njësinë administrative Grykë-Çaj dhe Bushtricë.
















