Lajme
Analisti i mirënjohur: Rikthimi i Berishës është një …

Mund të duket si klishe por rikthimi i debatit dhe rikonfigurimi që po i bëhet partisë më të madhe të opozitës nga Komisioni i Rithemelimit dhe lideri historik Sali Berisha, është një favor që i bëhet jo vetëm PD por të gjithë sistemit demokratik në vend.
Megjithëse është tepër herët të parashikosh se çdo ndodhë në të ardhmen (dhe kjo vlen si për optimistët përkrahës të “Foltores” ashtu dhe për skeptikët apo kundërshtarët brenda dhe jashtë PD që impaktin e Sali Berishës si fenomen politik e lidhin me moshën apo me vendimin konjuktural që bëri SHBA me shpalljen “non grata” të tij) ajo që pranohet gjerësisht është fakti se kemi të bëjmë me një opozitë e cila nuk frymëzonte. Në krye të saj qëndronte një lider i cili më të rëndësishme se ndryshimin e këtij realiteti kishte mbajtjen e zyrës, vulave dhe çelësave të selisë nuk i hynte në punë askujt.
Prej që nuk mbahet mend PD nuk ishte faktor dhe zëri i saj vinte i vakët pa forcë, pa grintë tek qytetarët. Natyrisht kjo nuk dëmtonte vetëm aksionin opozitar apo narrativën e saj për të marrë pushtetin. Ajo opozitë ishte kthyer në një zjarrfikës dhe të protestave të shoqërisë civile. Ishte dhe kjo apati që i dha Ramës mundësinë të ngrinte perandorinë e tij të autoritarizmit.
Skish se si ndodhte ndryshe kur në media thuajse në të njëjtën masë me skandalet e qeverisë dilnin dhe afera të të afërmeve të kryetarit që vazhdonin të merrnin tenderë në kurriz të kauzës dhe mundit e djersës së mijëra anëtarëve të bëheshin copë në fushata për ta bërë kryeministër.
Kjo sepse çdo pakënaqësi apo iniciativë për shkarkimin e kryetarit do përballej ose me një proçes fiktiv në Kuvend ose me kakofoninë e kundërshtimeve të të besuarve të tij në Këshillin Kombëtar. Me pak fjalë në opozitën që përbën dhe thelbin e funksionimit të një sistemi demokratik ishte zhdukur demokracia.
Panoramë më të mbrapshtë dhe mesazh më të shëmtuar se si mund të ishte qeverisja nesër nuk mund të kishte. Opozita në këto tetë vjet po prodhonte një fotokopje të Ramës, ndoshta dhe më autoritare siç treguan më vonë ngjarjet. Kjo bëri që uragani i pakënaqësisë që pushteti i Ramës kishte akumuluar ndër qytetarë të mos përkthehej në votë, pavarësisht manipulimeve.
Në atë formë si ishte ndërtuar struktura e PD-së ishte në kufijtë e të pamundurës të ndryshoje “status quo”-në e Bashës. Me një Kuvend Kombëtar me më shumë se 7 mijë delegatë, ku shumica ishin fiktiv, apo dhe një Këshill Kombëtar me rreth 500 anëtarë kryesisht të katapultuar i siguronin Bashës kapjen lehtësisht të PD-së.
Në këto kushte duhej një lëvizje që ti hapte rrugën opozitës në mos drejt pushtetit drejt faktorizimit të saj. Ata që e kishin provuar më parë kishin dështuar, pikërisht dhe për arsyet që thamë më lart. Nga ana tjetër askush s’mund të mohojë faktin se Berisha është një makineri elektorale dhe ndër politikanët më të qartë në mesazhin që jep. Ristrukturimi i PD dhe reduktimi i Kuvendit Kombëtar në diçka më shumë se 1100 delegatë apo dhe zgjedhja prej tyre e 150 antarëve në Këshill Kombëtar jep garanci se ato që kanë ndodhur në këto tetë vjet s’kanë për të ndodhur më. Në këto kushte askush ska pse gënjen për votat në kuvend ndërsa iniciativat në Këshillin Kombëtar janë lehtësisht të aksesueshme. Ky sistem së bashku me primaret si në zgjedhjet e 6 marsit jep mundësinë e karrierës politike për këdo në atë parti. Fundja partitë për këtë janë krijuar.
Natyrisht në këtë rrugëtim do ketë dhe individë që nuk e pranojnë realitetin ashtu siç është, duke nxjerrë si preteks shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga SHBA. Por harrojnë se duan apo s’duan të pranosh si të mirëqenë një vendim konjuktural, pavarësisht se nga vjen dhe që është në kundërshtim me parimet demokratike të një vendi do të thotë të mos pranosh në tërësi sistemin demokratik dhe të së drejtës në një vend. Në një rast të tillë s’do kishte nevojë as për zgjedhje, as për votë të lirë, mjafton që një ambasadë apo një shtet tjetër të bënte skanimin e politikës sipas midesë të tyre.
Pastaj po të besosh çdo broçkull që del nga goja atyre që humbën privilegjet duke qenë në opozitë po s’janë tjetër vetëm se parulla të dirigjuara nga paradhoma e Ramës dhe spin-doctorëve të tij në media, duhet të besojmë dhe që Dvorani është kampion i luftës kundër korrupsionit. Na falni po kjo jo vetëm që është e tepërt, por edhe fyerje për inteligjencën e çdokujt.



















