Connect with us

Lajme

Tender në konflikt interesi/ Veliaj, 20 mln lekë gruas së Afrim Qendros, anulohet nga ILDKPKI

Publikuar

Nga Boldnews.al

Tenderat skandalozë janë shndërruar në një proces rutinor në të gjithë administratën e lartë shtetërore, ndërkohë që në burg është vetëm ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe.

Në Dhjetor 2021, Bashkia e Tiranës ka shpallur një tender për blerje pajisje ndihmëse, fenelina, për Policinë Bashkiake, me fond limit mbi 20 milionë lekë të vjetra.

Institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj ka shpallur paraprakisht fitues kompaninë “Start & Co”.

Por, pas një ndëryrjeje të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave-ILDKPKI, tenderi është anuluar për shkak të konfliktit të interesave, në Shkurt 2022.

“Start & Co” informoi Bashkinë e Tiranës se, bazuar në një komunikim me ILDKP, kompania nuk mund të fitonte tendera publikë në territorin e kryeqytetit.

Kompania “Start & Co” është në pronësi 50 përqind të zonjës Anila Qendro, bashkëshorte e Prefektit të Tiranës, Afrim Qendro.

Sipas ligjit për Konfliktin e Interesave, prefektit dhe familjarëve të tij të afërt u ndalohet që të përfitojnë kontrata publike në territorin nën juridiksionin e tyre.

Ky ndalim përbën një prej elementëve bazë të procedurave të prokurimit publik dhe është përgjegjësi e institucioneve që të kryejnë verifikimet para se të finalizojnë tenderat.

Por, në rastin konkret, Bashkia e Veliajt ka vijuar normalisht tenderin, megjithëse situata ishte tërësisht në konflikt interesi.

Afrim Qendro ishte drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, kur ndodhi skandali i Unazës së Re, në vitin 2018.

Më pas i u caktua si zëvendëskryetar i Bashkisë së Vlorës, në rolin e një delfini të kryeministrit Edi Rama për të sfumuar kryetarin Dritan Leli.

Në Nëntor 2021, Afrim Qendro u emërua Prefekt i Tiranës.

NA NDIQ NË FACEBOOK