Connect with us

Lajme

Nga sondazhi në realitet: Braktisja e Kosovës nën Qeverinë Kurti

Publikuar

Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e Albin Kurtit së fundmi i ka bërë një vit që nga koha kur ka ardhur në pushtet pas fitores në Zgjedhjet Parlamentare të 14 shkurtit të vitit 2021.

Pavarësisht se partia që e udhëheq sot Kosovën, Lëvizja Vetëvendosje, kishte thënë se po formohet ‘Qeveria e Shpresës’, e cila ndër të tjera do ta ndalte edhe ikjen e qytetarëve nga Kosova, ajo që po shihet këtë vit të qeverisjes së tyre e sidomos në muajt e fundit, është krejtësisht e kundërta e asaj që është premtuar.

Që nga janari i këtij viti, Periskopi kishte njoftuar për një numër të lartë të qytetarëve që po aplikojnë për viza në ambasadat e huaja në Kosovë e sidomos në Ambasadën e Gjermanisë. Kështu, në janar kanë aplikuar 48 mijë qytetarë për viza pune.

Qytetarët e Kosovës fillimisht po shprehen për ikjen masive. Kështu, në sondazhin e PIPO-së të publikuar më 17 mars të këtij viti,  50.05% e qytetarëve janë shprehur se do të iknin nga Kosova nëse do të kishin mundësi. Sigurisht se ky disponim po rezulton të mos mbetet vetëm një dëshirë meqë numri i aplikimeve në ambasada arrinë shifra marramendëse.

Qytetarët e Kosovës janë duke ikur nga vendi. Në 4 muajt e fundit janë regjistruar rreth 200 mijë kërkesa vetëm në Ambasadën e Gjermanisë. Kështu që nga fillimi i dhjetorit dhe deri në fund të marsit, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka pranuar 199 mijë e 783 kërkesa për viza. Ndërsa vetëm këtë muaj, në këtë ambasadë janë dorëzuar 48 mijë e 44 kërkesa.

Edhe Zvicra e Kroacia janë destinacionet e qytetarëve të Kosovës. Gjatë muajve nëntor-janar, Ambasada e Zvicrës ka pranuar tetë mijë e 737 aplikime për viza, ndërsa ajo e Kroacisë në përiudhën nëntor-mars ka pranuar një mijë e 944 aplikime për viza.

E kryeministri aktual, Albin Kurti, kishte kritikuar ashpër ikjen e qytetarëve në kohën kur ai ishte në opozitë.

Në seancën e 17 prillit 2019, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, kishte thënë se nga Kosova nuk po ikin kriminelët por prokurorët.

“Njerëzit ikin nga ky shtet sepse iku edhe prokurori, si puna e Elez Blakajt nga kryeministri e qeveria. Kosova është një vend prej nga nuk po ikin kriminelët por prokurorët”, kishte thënë Kurti.
Tutje, Kurti kishte thënë që arsyeja e ikjes së qytetarëve nga Kosova është sepse atyre u kanë ikur paratë.

“Emigrimi që ndodh tek ne natyrisht që ka shkaqe të fuqishme ekonomike. Neve na ka ikur paraja, kur ik paraja ikin njerëzit”, kishte thënë Kurti.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si opozitare kishte qëndrim të njejtë me Albin Kurtin. Osmani gjatë një tubimi në Gjakovë para tri vitesh, kishte deklarauar se Kosova po e përjeton ikjen e dytë dhe se ajo po zbrazet.

“20 vjet pas luftës ne po e përjetojmë ikjen e dytë. Kosova po zbrazet. Sa e sa familja nga Gjakova dhe gjithë Kosova nuk i kanë afër vetes të afërmit e tyre, sepse nuk shohim më perspektivë, nuk kanë më ëndrra. Ata që do të duhej të mbronin interesin tuaj, e shkëmbyen ëndrrën e qytetit tuaj vetëm për interes të tyre”, kishte deklaruar Osmani në një tubim në Gjakovë.

Ndërsa, së fundmi e para e shteti ka zgjedhur të mos flas për numrin kaq të lartë të qytetarëve që duan të ikin nga Kosova shprehur me sondazhe si dhe për qytetarët që janë në procedura për ikjen nga Kosova shprehur me aplikime në ambasadat e huaja në Kosovë.

Kujtojmë se në politikën e brendshme, Qeveria Kurti është duke u përballur me një seri krizash, duke filluar nga kriza energjetike e deri tek shtrejtimi i rrymës, naftës dhe produkteve të tjera ushqimore.

“Neve na ka ikur paraja, kur ik paraja ikin njerëzit”, kishte thënë Kurti. /PERISKOPI

Pregatiti: Qendrim Badalli

 

 

 

 

 

 

NA NDIQ NË FACEBOOK