Connect with us

Lajme

Nëse nuk dorëhiqet, deputetët e PD gati të kërkojnë përjashtimin e Bashës nga Grupi Parlamentar

Publikuar

Grupi parlamentar i PD po mbledh firmat për t’i kërkuar zyrtarisht dorëheqjen Lulzim Bashës. Lëvizja e deputetëve erdhi pas humbjes katastrofike të kandidatëve të Bashës në zgjedhjet e 6 marsit, të cilët garuan me siglën e PD, por u renditën të 3 në 5 bashki nga 6 ku u mbajtën zgjedhjet e pjesshme vendore.

Përveç 6-7 deputetëve, e gjithë pjesa tjetër e grupit parlamentar është kundër Lulzim Bashës dhe i kërkojnë atij me insistim dorëheqjen.

Deputetët kanë nisur mbledhjen e firmave për t’i kërkuar zyrtarisht dorëheqjen Bashës.

I iniciuar nga deputeti Tomor Alizoti, ky dokument tashmë po qarkullon mes deputetëve, të cilët disa ditë më parë i kërkuan përballë dorëheqjen kryedemokratit.

Mësohet se dokumenti është firmosur nga disa prej ligjvënësve demokratë.

Mbledhja e firmave do të vijojë deri të shtunën në mesditë, ku deputetët pritet t’ia dorëzojnë në mbledhjen që ka njoftuar Lulzim Basha.

Zërat mes grupit parlamentar që kanë kërkuar dorëheqjen e Bashës pas humbjes së zgjedhjeve të 6 marsit janë shtuar. Janë të paktën 33 deputetë të PD që i kanë kërkuar zyrtarisht dorëheqjen Bashës. Ndërkohë mes deputetëve demokratë, të cilët deri para 6 marsit ishin mbështetësit kryesorë të Lulzim Bashës në përplasjet me ish-Kryeministrin Sali Berisha, po qarkullon edhe propozimi për ta përjashtuar atë nga Grupi Parlamentar.

NA NDIQ NË FACEBOOK