Lajme
Gjërat kryesore që duhet të dini rreth luftës në Ukrainë

Associated Press
Trupat ruse të dielën, më 20 mars, intensifikuan bombardimet e tyre ndaj qytetit të Mariupolit. Zyrtarët ukrainas thanë se një sulm shkatërroi një shkollë të artit, e cila ishte përdorur për strehimin e qindra civilëve.
Mariupoli vazhdon të jetë skenë e disa prej tmerreve më të mëdha të luftës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të dielën e akuzoi Rusinë për krime lufte gjatë rrethimit të këtij qyteti, duke e përshkruar sulmin ndaj Mariupolit si “një terror që do të mbahet mend për shekujt me radhë”. Në fjalimin e tij drejtuar kombit, Zelensky tha se Ukraina është e interesuar për paqen dhe se bisedimet e vazhdueshme me Rusinë janë “të nevojshme”.
Papa Françesku denoncoi të dielën “luftën e neveritshme” të Rusisë kundër Ukrainës dhe e përshkroi si “sakrilegj jonjerëzor dhe mizor”.
Më poshtë mund të mësoni disa prej gjërave kryesore rreth konfliktit:
Çfarë po ndodh në Mariupol?
Mariupol, qytet-port strategjik në Detin Azov, është i rrethuar nga trupat ruse, i është shkëputur furnizimi me energji, ushqim dhe ujë dhe ky qytet në jug të Ukrainës është përballur me bombardime të pamëshirshme.
Qyteti është izoluar që në ditët e para të pushtimit të presidentit rus, Vladimir Putin në Ukrainë, i nisur më 24 shkurt. Civilët janë të zhvendosur në strehimore, kurse organizatat humanitare thonë se qyteti përballet me një krizë humanitare. Forcat ruse po ashtu kanë ndërprerë qasjen e qytetit në Detin Azov.
Një këshilltar i presidentit të Ukrainës tha se nuk kishte ndihmë të menjëhershme ushtarake për Mariupolin, duke thënë se forcat më të afërta ishin duke u ballafaquar me forcat ruse, të paktën 100 kilometra më larg. Beteja të ashpra po vazhdojnë rreth fabrikës së çelikut Azovstal, një nga më të mëdha në Evropë.
Një njësi e forcave speciale të Gardës Kombëtare të Ukrainës tha se katër anije të marinës ruse granatuan portin e Detit Azov të dielën, si pjesë e përpjekjeve të ushtrisë ruse për të “shkatërruar në mënyrë cinike qytetin ukrainas, duke përdorur të gjithë arsenalin që kanë në dispozicion”. Nuk ka të dhëna të menjëhershme për viktima nga ky sulm.
Në një deklaratë, këshilli i qytetit të Mariupolit tha se ushtarët rusë kanë detyruar disa mijëra banorë, kryesisht gra dhe fëmijë, të largohen dhe të zhvendosen në Rusi. Nuk është thënë se ku në Rusi janë dërguar dhe AP nuk mundi ta konfirmojë menjëherë këtë pretendim.
Këshilli i qytetit tha të dielën se afër 40,000 njerëz kanë përdorur automjetet e tyre për të ikur nga qyteti përmes një korridori humanitar gjatë javës së kaluar – gati 10 për qind e popullsisë së qytetit prej 430,000 banorësh.
Sulmi mbi shkollën e artit
Pas këtij sulmi u dhanë detaje të pakta, por autoritetet ukrainase thanë të dielën se ushtria ruse bombardoi një shkollë arti në Mariupol, ku ishin strehuar rreth 400 njerëz. Associated Press nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur këtë lajm.
Autoritetet lokale thanë se ndërtesa e Shkollës së Artit nr. 12 u shkatërrua dhe njerëzit mund të jenë të bllokuar nën rrënoja. Ende nuk është dhënë ndonjë njoftim lidhur me viktimat e mundshme nga ky sulm.
Forcat ruse të mërkurën bombarduan gjithashtu një teatër në Mariupol ku ishin strehuar civilët. Autoritetet thanë se 130 persona u shpëtuan nga Teatri i Dramës, por shumë të tjerë mund të jenë ende nën rrënoja.
Çfarë po ndodh në qytete të tjera të Ukrainës?
Në Mikolaiv, që gjendet në Detin e Zi, pas një sulmi me raketa të premten në një kazermë të marinës u vranë të paktën 40 ushtarë rus, tha kryetari i qytetit, Oleksandr Senkevich.
Autoritetet në qytetin lindor të Harkivit thanë se të paktën pesë civilë u vranë në bombardimet e fundit të Rusisë dhe në mesin e viktimave ishte edhe një djalë nëntëvjeçar. Harkiv ka qenë i rrethuar që nga fillimi i pushtimit rus dhe ky qytet është përballur me sulme të pamëshirshme nga forcat ruse.
Rreth 70 fëmijë jetimë u evakuuan nga Sumi, një tjetër qytet të rrethuar ukrainas që gjendet në verilindje. Guvernatori rajonal tha se shumica e fëmijëve kishin nevojë për përkujdesje të vazhdueshme mjekësore dhe shtoi se ata do të dërgohen në një shtet të huaj, por nuk tregoi se për cilin shtet bëhet fjalë.
Rreth Kievit, periferitë veriperëndimore të Buças, Hostomelit, Irpinit dhe Moshçunit, pati luftime të shtunën, tha administrata rajonale e Kievit. Po ashtu është thënë se Slavutiçi, 165 kilometra në veri të kryeqytetit ukrainas, është “plotësisht i izoluar”.
Më shumë se 6,000 njerëz mundën të evakuohen përmes përgjatë tetë nga dhjetë korridoret humanitare të shtunën, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk. Në këtë shifër u përfshin 4,128 persona nga Mariupoli, të cilët u dërguan në qytetin juglindor të Zaporizhjas.























