Connect with us

Lajme

Anija ruse e SHELL në Durrës/ Balluku “sfidon” Bidenin dhe Johnsonin, i del në “krah” Putinit!

Publikuar

Nga Boldnews.al

Dy udhëheqësit e botës perëndimore, Joe Biden dhe Boris Johnson, i pari president i SHBA-ve dhe i dyti kryeministër i Anglisë, kanë ndërmarrë një seri sanksionesh ndaj Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe njerëzve pranë tij.

Pasuritë e politikanëve, oligarkëve apo biznesmenëve rusë janë ngrirë, madje këto sanksione kanë prekur edhe Roman Abramovich, pronarin e ekipit të Chelsea në Angli. Të gjitha sanksionet kanë ardhur pas luftës në Ukrainë, ndërsa Biden e ka përkufizuar Putin si “kriminel lufte”.

Por, duket se vendimet e Presidentit amerikan dhe Kryeministrit britanik janë sfiduar nga ministrja Belinda Balluku.

Ndoshta emri i saj do të “fiksohet” nga administrata e Biden dhe e Johnson në Britani, pasi Balluku i ka “sfiduar”, duke u “rreshtuar” në krahë të Putinit.

Nuk dihet nëse ky karshillëk i Ballukut është bërë me apo pa dijeninë e Kryeministrit Edi Rama, i cili së fundmi ka zgjedhur të etiketojë si putinistë qytetarët protestues, që reagojnë për rritjen e çmimeve, që i ka vështirësuar jetesën.

Edi Rama dhe pas tij çdo zyrtar në hierarkinë vertikale dhe horizontale të Qeverisë dhe Rilindjes, ia atribuojnë rritjen e çmimeve luftës në Ukraninë.

Megjithatë, Kryeministri që ka kurajon të etiketojë një protestë si në shërbim të Rusisë, nuk është çudi që nesër të ngrejë supet dhe të thotë se nuk dija gjë për veprimet e një prej ministreve të tij, Belinda Ballukut.

Kjo e fundit i ka qëndruar në krah Ramës, në ditë të mira dhe të këqija, duke e shoqëruar madje në të gjithë vizitat, përfshi edhe ato për turizëm, pasi lëshoi “bombën” se shqiptarët duhet të shtrëngojnë dhëmbët sepse Qeveria nuk mund të ndërhyjë për të vendosur rregull në tregun e çmimeve.

Dhe në takimet e zhvilluara, të paktën publikisht Rama dhe ministrat e tij, kanë dënuar ashpër Putinin, por në anën tjetër duket se ka një bashkëpunim me kompani ruse apo serbe.

Ballkani i Hapur, një nismë e cila nuk pranohet nga Kosova, por edhe nga Mali i Zi, vijon të mbahet në jetë me oksigjen nga qëndrimet e Edi Ramës, por edhe nga Belinda Balluku, edhe pse ajo drejton një dikaster në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe hidrokarburet.

Por, ministrja e Ramës shfaqet e gjithanshme, duke shfaqur kurajo të merret apo të japë vlerësime për nisma që normalisht i përkasin Ministrisë së Jashtme.

Pak ditë më parë, në kulmim e sanksioneve ndaj Rusisë, Balluku lejoi një anije ruse të ankorohej në Durrës. Fillimisht, lajmi u bë publik nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili bëri edhe një postim në rrjetet sociale.

Në foto: Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi ministren Balluku për lejimin e anijes ruse në Durrës

Sipas denoncimit, Berisha i referohet “qytetarit dixhital”, i cili i shkruante se një anije ruse, që është nën sanksione, nuk hyn dot në Portet e Europës, ndërsa përpunohet në Portin e Durrësit. Në këtë denoncim, qytetari shprehet se Rama bashkëpunon me rusët, duke bërë thirrje për hetime nga ana e SPAK.

“Ja se kush po ndihmon Putinin! Anija ruse nën sanksione me gjithë denoncimin tim të mëparshëm po përpunohet në Portin e Durrësit. Ajo nuk ka grurë, por tuba etj. Ajo nuk hyri dot në portet e Francës!” shkruan Berisha. ” … Kishte mbi 10 dite një anije ruse e ndaluar nga çdo port i Europës të ankorohej e tashmë e pranuan të hyjë në portet shqiptare. Franca e rrefuzoi, ne e pranuam! Dhe një nga kompanitë më të listuara për embargo, ( https://www.spisok-putina.org/en/personas/fradkov-4/)”.

Qytetari i shkruan Berishës që “nuk ka grurë e drithëra anija, ka tuba e pajisje, makineri”. Madje, denoncimi është tepër i saktë, pasi ai ka vendosur linke, foto te anijes ruse, të dhënat e pronarëve rusë, fletoren zyrtare të BE-së, pozicionin e ankorimit të anijes dhe refuzimin që Franca i ka bërë për të hyrë në portet e saj.

Në foto: Anija ruse, e cila u ankorua në Durrës, pasi u refuzua nga Franca!

Boldnews.al bëri një kërkim të thjeshtë në internet, duke kërkuar pikërisht këto të dhëna të bëra publike nga “qytetari dixhital”. Dhe, pikë e presje, denoncimi është i saktë! Madje, me koordinata, ku në një vend normal, personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi. Një skandal i përmasave ndërkombëtare, pasi çdo kamuflim nën emrat e markave vetëm sa i fundos akoma më tepër. Por, më e turpshme ka qenë justifikimi i ministres Balluku.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se anija për transportin e mallrave të përgjithshme, me emrin “Neptun” me IMO 9358010 me flamur rus, por e marrë me qira (chartered) nga një kompani nga Britania e Madhe, në datën 27 shkurt 2022 është futur në ujërat e Republikës së Shqipërisë dhe ka qëndruar në radën e Portit të Durrësit.

“Nga verifikimi i dokumentacionit të anijes, nga ana kapitenerisë së Portit Durrës, ka rezultuar se mjeti lundrues ka pasur mungesa në dokumentacion” thotë ministria. Më tej shkruan se “pasi mjeti lundrues ka plotësuar mungesat në dokumentacion dhe pasi është kryer verifikimi me listën e personave të ndaluar nga BE, për sanksionet e sjellë nga Ministria e Jashtme, mjeti lundrues i mësipërm në datën 13.03.2022 është lejuar të shkarkojë pajisjet e shpimit për kompaninë SHELL në Portin MBM në Porto Romano”.

Pra, nën emrin e SHELL, Balluku shkeli embargon. Por, pas këtij veprimi, lindin me të drejtë shumë pyetje: i shërbeu interesit të saj, të shefave apo SHELL? Nëse guxoi të shkelte këtë embargo ndaj rusëve, kush po e mbron ministren tonë?

Çfarë fshihet pas gjithë këtij skandali, ku institucionet ligjzbatuese apo të shërbimeve informative, qoftë edhe ushtarake, duhet të bënin raporte të njëpasnjëshme. Por, në Shqipërinë tonë, çudia nuk zgjat më 3 ditë, por vetëm 3 orë.

Dhe, kur njerëzve u ngre edhe çmimet e ushqimeve bazë, askush nuk kthen kokën nga Rusia apo Ukraina, por nga kuleta për të nxjerrë muajin.

NA NDIQ NË FACEBOOK