Connect with us

Lajme

34-vjeçarit me 3 emra i sekuestrohet 2 mln euro pasuri/ Vila në Palasë e Sauk dhe aksione në kompani private

Publikuar

Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro preventive për disa prona të paluajtshme, 4 makina dhe 20% të aksioneve të një biznesi privat, që i përkasin Stivens Alkut, i cili përdorte dhe emrat Geralf e Serxho Kadriu.

Policia e kryeqytetit njoftoi këtë të Enjte zbatimin e vendimit të Gjykatës.

34-vjeçari Stivens Alku, i cili rezulton banues në Tiranë, është ndaluar më parë nga autoritetet policore holandeze dhe gjermane, si i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrim parash”.

Burime zyrtare konfirmuan se procedimi për 34-vjeçarin u regjistrua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë. Më tej, dosja iu dorëzua prokurorisë së rrethit, që ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Pronat e sekuestruara

Pasuritë e sekuestruara janë:

  • Një ndërtesë (vilë), së bashku me një sipërfaqe trualli, në Palasë, Vlorë
  • Një ndërtesë (vilë) në Sauk
  • Një apartament në Rrugën e Elbasanit
  • Dy sipërfaqe toke në Sauk
  • Katër automjete dhe 20% të aksioneve të një biznesi privat

Sipas policisë, pasuritë që arrijnë vlerën 2 milionë euro, dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 34-vjeçarit.

“Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë”, thuhet në njoftimin e bluve.

NA NDIQ NË FACEBOOK