Religjion
Mos u bën zero! | Islam Press

Legjenda thotë se Isai, a.s., ka hasur në një të pasur dhe e kapi për dore dhe e çoi te një i varfër. Ai i tha: “Ky është vëllai yt në Islam. Allahu të ka nderuar me pasuri në lidhje me të, prandaj falënderoje Allahun për këtë!” Pastaj e kapi të varfërin për dore dhe e çoi te një i sëmurë. Pastaj i tha: “Nëse je i varfër, dhe nuk je i sëmurë. Çfarë do të bënit nëse do të ishit edhe të varfër edhe të sëmurë?! Bëhuni falënderues ndaj Allahut!” Pastaj ai shkoi me të sëmurin te një jobesimtar. Ai i tha te semurit: “Çfarë do të bëje sikur të ishe i varfër, i sëmurë dhe mosbesimtar?! Ji mirënjohës ndaj Allahut!”
Kjo traditë udhëzuese na tregon se, nga këndvështrimi i mirënjohjes ndaj Zotit dhe besimit në Të, gjendja më e keqe e një njeriu në këtë botë është gjendja e jobesimtarëve. Megjithatë, jeta na mëson se disa njerëz mund të bien në një gjendje më të keqe, dhe pikërisht atëherë bëhen marrëzi të paskrupullta dhe “zero njeri”.
Kjo çoroditje njerëzore në thelb ndodh kur disa njerëz bëhen skllevër të dikujt ose diçkaje tjetër përveç Allahut të Madhëruar, dhe robërohen nga pasionet, shejtani, fuqia e kësaj bote, autoriteti, titujt… Pastaj lind një fanatik moral që nuk mund të bëjë asgjë të mirë dhe që nuk ka respekt për të tjerët.
Kurani na sjell një shembull dhe nje parabolle të mrekullueshëm, dhe shembujt e Allahut janë më të bukurit:
“Allahu e përmend si shembull një rob në pronën e tjetrit, i cili nuk ka asgjë dhe një të cilin Ne i kemi dhuruar begati te shumta dhe që jep prej saj, fshehurazi dhe publikisht – a janë ata të barabartë? Falënderimi i takon Allahut! Por shumica e tyre nuk e dinë. Allahu ju jep si shembull dy njerëz, njëri prej të cilëve është shurdh-memec, i cili nuk ka asgjë dhe i cili është barrë për zotërinë e tij – kudo që e dërgon nuk sjell ndonjë të mirë. A është ai i barabartë me atë që kërkon të bëjë drejtësi dhe ai vetë është në rrugë të drejtë?” (Kur’an, 16:75-6)
Këto fjalë kuranore na tregojnë për besimtarët dhe bamirësit, nga njëra anë, dhe për mohuesit dhe njerëzit e padobishëm, nga ana tjetër. Në fakt, në një pjesë të ajetit Allahu thotë se robi, i cili nuk mund të bëjë asgjë dhe të fitojë asgjë të mirë, është vetëm “kellun ala mevlahu – barrë për zotërinë e tij”. Ky “kellun” në përkthim të lirë mund të thotë zero! Dhe se si bëhet zero nga një njeri, u shpjegua përmes matematikës nga dijetari, filozofi dhe matematikani i famshëm islam, Ebu Xha’fer el-Hawarizmi.
Domethënë, për të vlera e parë dhe themelore te njerëzit është besimi (morali), të cilin e shënon me numrin 1. Pra, nëse njeriu është besimtar i ndershëm dhe njëkohësisht i pasur, atëherë pasuria i shtohet një zero. , pra vlera e tij është 10. Nëse është besimtar i ndershëm, i pasur dhe ka origjinë fisnike (pozicioni në shoqëri) i shtohet një zero tjetër, dhe ai ka vlerën 100. Zero i shtohet edhe bukurisë, zgjuarsia… Megjithatë, al- Hawarizmi përfundon, nëse një njeri nuk është një besimtar i ndershëm moral, atëherë ajo njësi në fillim fshihet. Pra, mbeten vetëm zero. Këto zero mund të shtohen dhe të shumëzohen me njeriun, por rezultati është gjithmonë zero në fund, zero – zero nga njeriu!
Mësuesi i botës, Muhamedi, s.a.v.s., na paralajmëroi që të mos jemi zero, të mos jemi të shëmtuar në natyrë, egocentrik dhe të paskrupullt. Ndër të tjera ka thënë: “Te Allahu njeriu me i urryer është, ai i cili duke u grindur kalon çdo kufi.” (Muttefekun alejh).
Në një rast Pejgamberi, a.s., ishte ulur në shoqërinë e sahabëve dhe me të ishte edhe Ebu Bekri, r.a., të cilin një njeri filloi ta ofendoi dhe ta ngacmonte. Ebu Bekri heshti për herë të parë dhe të dytë. Pasi ky njeri e ofendoi për të tretën herë, ai filloi të hakmerrej dhe Pejgamberi u ngrit menjëherë. Pastaj Ebu Bekri tha: “O i Dërguar i Allahut, a je i zemëruar me mua?” Ne kete i Derguari i tha:”Deri sa ky njeri te ofendonte ty, e ti ishe i heshtur, ate meleku qe zbriti nga qielli e shtynte ne genjeshter, sa fillove ti të ja kthejsh, meleku u largua dhe shejtani e zuri vendin e tij. Unë jam duke ikur nga kjo shoqëri sepse nuk dua të qenderoi me shejtanin.”
I dashur vëlla, kujdes nga kompania “zero” dhe mos u bëj “zero”! Bëhu të paktën një njësi, besimtar i ndershëm dhe i moralshëm dhe ji i dobishëm për njerëzit. Sepse Pejgamberi tha se më të mirët janë ata njerëz që u bëjnë dobi të tjerëve. Dhe suksesi ynë vjen vetëm tek Allahu, tek Ai mbështetemi dhe tek Ai drejtohemi!
Përktheu: Sadri Iljazi























