Connect with us

Shqipëri

Me Tahirin në burg, Erion Veliaj nis dhe bën festë. A është PS një hap larg Apokalipsit?

Publikuar

Histeria kolektive me Meme e gallata, me deklarata boshe dhe të papjekura për “drejtësi të çuar në vend” nuk e mbulojnë dot atë çfarë ndodhi me të vërtetë. Saimir Tahiri i eliminuar politikisht kohë më parë prej Edi Ramës, dje nënshkroi marrëveshjen finale me ekzekutorët e tij: pak muaj burg për “abuzim me detyrën” dhe “heshtje për ç’ka parë, dëgjuar dhe zbatuar në kohën kur ishte Ministër i Brendshëm”.

Kaq është e vërteta e një spektakli të gjatë, të nisur shumë muaj më parë e është mbyllur dje duke i lënë të gjithë të kënaqur. Mbi të gjitha njërin që mezi po pret të bëjë hapin e madh. Dikush që nuk është akoma në tavolinën e madhe të pushtetit qëndror.

Por le t’i marrim me radhë ato çfarë i ndodhën ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Nëse e mbani mend akoma, akuza për Saimir Tahirin ka qenë për trafik lëndësh narkotike dhe grup të strukturuar kriminal. Akuza kërkoi 12 vjet heqje lirie për të. Nuk ka nevojë të jesh jurist për të dalluar ndryshimin me “shpërdorim detyre” dhe 40 muaj burg të dhënë dhe ekzekutuar në fund.
Çfarë mendoni se ndodhi? Mos vallë kujtoni se drejtësia pati dhembshuri për ish-ministrin?
Aspak! Për tu bindur kthehuni pas në kohë kur spektakli me ish-ministrin sapo kishte nisur. Saimir Tahiri ka plot mëkate në kohën kur drejtonte rendin në Shqipëri, por asnjë prej tyre nuk mund të kryhej pa miratimin e eprorit suprem, Kryeministrit Edi Rama.

Përveç kësaj një Ministër Rendi ka informacion delikat me shumicë për çdo pushtetar dhe këtë e di edhe Rama me të vetët, edhe kahu tjetër politik. Këtë e pat thënë indirekt edhe Saimir Tahiri në një nga daljet publike kur i pari që iu sul për ta futur në burg ishte Edi Rama. Fill pas kësaj, gjuetisë së shtrigave i ra hovi.
Që nga ajo kohë kanë kaluar shumë muaj dhe Saimir Tahiri e uli kokën. I rrethuar nga mëkatet e veta dhe nga një kastë pushteti e zhytur deri në fund, ish-ministri nuk ka pasur shumë për të zgjedhur përveçse dënim të lehtë për një akuzë të llojit “shpërdorim detyre”. Me këtë Saimir shpëton të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e vet; shpëton nderin e kryeministrit Rama sepse varros përgjithmonë të vërtetat e tij e me këtë rast, me apo pa dashje, Saimir Tahiri i ka hapur rrugën drejt pushtetit absolut edhe një tjetër emri që ka kohë që po punon për këtë ditë. Ai është Erion Veliaj.

Kështu me dënimin si nxënës shkolle të Saimir Tahirit, të gjithë mbeten të kënaqur. Opinionit publik i është hedhur një kockë për tu lëpirë, kryeministri shpëtoi nderin, ndërkombëtarët panë të dënohej një ish-zyrtar i lartë, ndërsa lufta brenda llojit heq mënjanë një faktor.

Prandaj më shumë se askush, nga dje, ai që ka festuar është Erion Veliaj. Me kandidate si Ogerta Manastirliu e Belinda Balluku përballë, Erioni e ka më të thjeshtë. Ato janë si kruajtëse dhëmbësh për të. Ndërsa me Edi Ramën, i zënë me lodrat e veta mendore, të llojit “Këshillimi Kombëtar” katarsisi politik i të majtës do të vijë shumë shpejt dhe ajo që po ndodh në dyert e PD-së do të duket lule përpara asaj që do të shohim të ndodhë në kampin e majtë./Pamfleti

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK