Connect with us

Lajme

Kopanica së shpejti me plan urbanistik

Publikuar

Kreu i kësaj komune tha se në bashkëpunim me ndërmarrjen publike kompetente ka filluar me aktivitete të vazhdueshme për sanimin dhe përmirësimin e sistemit të ndriçimit publik në vendbanime Kopanicë dhe Zhilçë

Urim HASIPI

Tetovë, 21 shkurt – Kryetari i komunës së Jegunocit Dimitar Kostadinovski ka dhënë raport për punën e tij në 100 ditët e para në krye të kësaj komune. Kostadinovski, tha se filloi të funksionojë Ndërmarrja Publike, që të shpërndahen faturat, me qëllim që qytetarët të kenë shërbime më të mira për sa i përket ujit të pijshëm dhe ambient më të pastër. “Gjatë këtij 100 ditshi na erdhën fatura për rrymën e harxhuar për tre muaj në një kohë krize energjetike dhe e ka përfshirë edhe komunën tonë. Me këtë rast komuna jonë ka marrë një fatura në vlerë prej 1 milion denarë për rrymë elektrike të harxhuar për pompat që furnizojnë me ujë qytetarët tanë. Me këtë rast kemi arritur që të zvogëlojmë atë shumë, sepse e njëjta është nga buxheti i komunës së Jegunocit. Vendosëm më shumë rregull që të funksionojë Ndërmarrja Publike, vendosëm matës për zvogëlimin e harxhimit të energjisë elektrike për ndriçimin publik me qëllim që ato para të kursyera t`i dedikojmë për investime për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë”, tha Kostadinovski. Ai tha se brenda një muaji fshati Kopanicë do të ketë edhe plan urbanistik.

Sipas tij, për shkak të mos pasjes së planit urbanistik për këtë fshat, qytetarët nuk kanë mundur të kyçen në rrjetin elektrik. “Në periudhën brenda 100 ditëve arritëm që të vazhdojmë procedurën për plan detal urbanistik për fshatin Kopanicë sepse qytetarët nuk kanë mundur të marrin leje për ndërtim dhe shpresoj se brenda një muaji ky fshat do të ketë edhe këtë plan urbanistik dhe qytetarët do të mund të marrin leje për ndërtim njëkohësisht që të mund të kyçen edhe në rrjetin elektrik”, theksoi kryetari i komunës së Jegunocit, Dimitar Kostadinovski.

Kryetari i komunës së Jegunocit tha se ka filluar edhe procedura për rregullimin e zonës industriale që e kishte premtuar edhe në fushatë. “Në këtë periudhë arritëm që në mini zonën industriale që e premtuam në fshatin Podbreg me qëllim që të tërheqim investitor. Tash është koha kur bëjmë ndarjen e parcelave ndërtimore, dhe shpresoj se shumë shpejt do të jenë të rregulluara këto procedura që të vijnë edhe investitorët për të bërë punësime të qytetarëve tanë dhe të njëjtit mos të largohen por të qëndrojnë në vendlindjen e tyre”, deklaroi kryetari Kostadinovski. Ai mes tjerash tha se në bashkëpunim me ndërmarrjen publike kompetente ka filluar me aktivitete të vazhdueshme për sanimin dhe përmirësimin e sistemit të ndriçimit publik në vendbanime Kopanicë dhe Zhilçë.

Poashtu është ndërmarrë është aksion për largimin e kyçjeve ilegale të ndriçimit publik. ”Për shkak të udhëzimeve dhe indikacioneve nga EVN për konsum drastik të energjisë elektrike nga ndriçimi rrugor dhe numrit të shtuar të kyçjeve ilegale në ndriçimin publik, në veprim të koordinuar me shërbimet kompetente sipas planit të miratuar më parë, do të bëjmë kontroll të vazhdueshëm të sistemeve të ndriçimit publik me qëllim uljen e kostove të energjisë elektrike dhe shkyçjen e lidhjeve të paligjshme”, përfundoi kryetari i Komunës së Jegunocit, Kostadinovski. (koha.mk)

NA NDIQ NË FACEBOOK