Lajme
Berisha nga Rrogozhina: Rëndësia e zgjedhjeve të 6 marsit është e jashtëzakonshme

Sali Berisha prezantoi sot në Rrogozhinë kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”, Hekuran Xhani, i cili do të garojë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
Ai i bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë fushatë për t’i dhënë Shqipërisë shpresën e një fitoreje të thellë të ardhshme, e triumfit të opozitës së vërtetë shqiptare dhe triumfit të votës së lirë.
“Këto zgjedhje në 6 bashki zhvillohen vetëm në një pjesë të bashkive të vendit, por rëndësia e tyre është kombëtare dhe e jashtëzakonshme. Qytetarët e Rrogozhinës dhe 5 bashkive të tjera firmosin kthesën e madhe, shpresën e madhe, firmosin ndryshimin jetik për të ardhmen tonë. Rrogozhina vazhdon të braktiset njëlloj si e gjithë Shqipëria. Kjo nuk vjen se shqiptarët nuk kanë dashuri për trojet e tyre, por nuk përballen dot m,e jetën e përditshme, në varfërinë që i zhyt çdo muaj e më shumë një regjim plaçkitës, arrogant që nuk do t’ia dijë për hallet dhe dertet e qytetarëve, i vjedh ata ditën dhe natën e si rezultat i detyron të largohen”, tha Berisha.
Ish-kryeministri shtoi se Shqipëria nga vendi me rrogat më të larta në rajon që ishte 8 vite më parë, sot është vendi me rrogat më të ulëta në rajon.
“Vetëm këtë vit rritja e çmimeve është e pandalshme. Rrogat n raport me çmimet zvogëlohen çdo muaj e më shumë”.
Berisha tha se qytetarët e Shqipërisë vetëm vidhen nga kjo qeveri arrogante e cila nuk njeh kufij një shpenzimet e luksit, vilat, udhëtimet dhe orgjitë.
“Ministra që ulen dhe porosisin 1000 dollarë biftekun me paratë tuaja, kreu i Meduzës shpenzon 15 mijë euro në orë fluturim me avion në dispozicion, ministre që udhëton 15 herë Tiranë-Dibër për takime partiake me helikopter”.
Berisha tha se qeveria nuk do t’ia dijë për të ardhmen e shqiptarëve. Përveç kësaj, shtoi ai, Edi Rama firmos Ballkanin e Hapur. Sipas Berishës, kjo nisëm është falimentim për fermerët e Rrogozhinës dhe të Shqipërisë.



















