Connect with us

Shqipëri

SUPER SKANDAL: Dalin dokumentat si u padit Grida Duma për mashtrim pasi shiti 2 herë një apartament në bashkëpunim me….

Published

on

Sot u shpërnda në media lajmi se Bashkia e Tiranës ka paditur Grida Dumën. Historia e përfshirë në këtë padi është investiguar nga DITA disa vjet më parë dhe mori shkas nga një vendim i gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë i 8 shtatorit 2015.

Për çfarë bëhet fjalë?

Është një histori ortakërie e denjë për romanet e Komedisë Njerëzore të Balzakut. Personazhet janë Grida Duma dhe biznesmeni Roland Rexho, lindur në Vlorë në vitin 1958 dhe banues në Tiranë. Kompania e Rolandit quhet “Kristian Construction” dhe ka pasur synim ndërtimin e pallateve në Tiranë.

Sipas dokumentave tatimorë, konkretisht ekstraktit historik në QKR për subjektin tregtar “Kristian Construction”, Grida Duma ka hyrë si aksionere ortake me 30% në këtë kompani më 13 dhjetor 2002, në moshën 25 vjeçare (nuk dihen asetet që ka përdorur). Aksioneri kryesor, Rolandi, ishte asokohe 44 vjeç.

Më 29 janar 2010, aksionerja e pakicës largohet nga kompania. Në shtator 2011, Grida Duma do fillonte detyrën e re të zv.Ministres së Integrimit. Pikërisht këtë muaj nisin kërkesat e para të përmbaruesve privatë, ndaj “Kristian Construction”, për sekuestro konservative të aseteve deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve të paditësve, që kishin fituar gjyqet.

Shoqëritë “Shërbimi Përmbarimor ZIG”, “Power & amp Justice”, Zyra Përmbarimore Kozeta Caka, “PETANI BAILIFF’S OFFICE” sh.p.k etj, nuk rreshtin së kërkuari sekuestro, deri në fund të vitit 2013.

Çfarë kishte ndodhur? Pse kaq padi dhe për çfarë? Paditë ndaj Gridës dhe partnerit të saj të biznesit ishin për vjedhje dhe mashtrim.

Një nga paditë për çiftin Rexho-Duma ishte nga qytetari Albert Pali, asokohe 85 vjeç, pronar i një trualli ku Duma dhe partneri ndërtuan një pallat. Ata i kishin premtuar Palit tri apartamente, të cilat nuk i janë dhënë. Pas 6 vitesh sorollatje, ku Duma e Rexho kanë ndërruar edhe celularët dhe adresën e selisë së firmës, Pali ka vendosur t’i drejtohet Prokurorisë.

Por një ditë pas publikimit të lajmit mbi padinë u mësua se Duma kishte mashtruar edhe qytetarë të tjerë, madje ka shitur të njëjtin apartament, tek dy klientë të ndryshëm (!). Dhe për më tepër e ka bërë në të njëjtën ditë. Kontratat e publikuara nga DITA, e provojnë këtë mashtrim, të certifikuar edhe nga një notere me emrin Luljeta Kongoli.

Dhe jo vetëm klientët, por Duma dhe Rexho mashtruan edhe bankat. Shoqëria përmbarimore private ZIG filloi në të njëjtën kohë me padinë e Palit ekzekutimin e një vendimi gjykate për shumën 140 mijë euro për një kredi të pashlyer të marrë nga Duma dhe partneri i saj.

Përgjatë vitit 2013, Grida Duma ka paguar gjithë rrogën e saj në Ministri të Integrimit në favor të shoqërisë përmbaruese, duke iu lejuar vetëm shuma prej 8000 lekësh, që konsiderohet si minimum jetik. Është e tepërt të thuhet se, megjithëse të ardhurat e saj reale kanë qenë kaq të ulëta, Duma si shumica e poliitikanëve të vendit vijoi të jetonte në luks, madje duke dhënë dhe leksione publike për modën dhe veshjet e shtrenjta.

Ndërkohë, një shkresë e dytë zyrtare provon se u nxorr në ankand edhe një apartament, që gjendej në pallatin që Duma e Rexho kanë ndërtuar. Bëhej fjalë për një apartament në emër të saj, në adresën rruga “Nikolla Tupe” me sipërfaqe 118 metra katrorë.

Nuk mbaron me kaq! Në datën 9 shtator 2014, trupi gjykues i Gjykatës së Tiranës drejtuar nga Kreshnik Omari dhe me anëtarë Albert Meçën dhe Ardiana Berën, kanë vendosur dënimin me 2 vjet e gjashtë muaj burg të Roland Rexhos, për veprën penale të “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/1 i K.Penal.

Këtë rradhë, mashtrimi kishte për viktimë shtetasin Daver Çano, i cili kishte lëshuar truallin e një garazhi në proces legalizimi, për ndërtimin e një pallati nga Rexho, e në këmbim do të merrte një apartament. Kontrata është firmosur në 25 gusht 2008, kur Duma ishte ende ortake. Apartamenti me kontratë shitjeje të noterizuar iu dha Çanos (shtator 2011), i cili e mobiloi dhe kreu punime para se të largohej drejt SHBA.

Por pas disa kohësh, nipi i tij shkon ta hapë apartamentin dhe zbulon se brava ishte ndërruar, ndërsa brenda po kryheshin rregullime nga dikush tjetër (!) Apartamenti i ishte rishitur një personi tjetër!

Për të njëjtin mashtrim të rëndë e ka akuzuar Dumën dhe Rexhon qytetari Albert Pali. Marrëveshja i garantonte atij të drejtën për të përfituar disa apartamente në përfundim të ndërtimit të godinës.

Grida Duma

Duket e pabesueshme, por nga dokumentet që ka bërë publike avokati i Palit rezulton se, në të njëjtën ditë që ndërtuesja Duma dhe ortaku i saj kanë nënshkruar me Palin, ata, në të njëjtën zyrë noteriale kanë nënshkruar dhe një kontratë me një porositës-klient nga Kruja. Objekt i shitjes ka qenë një ndër apartamentet, që i ishin premtuar me kontratë Palit (!) Pra e njëjta pronë është shitur dy herë, në dy kontrata të ndryshme.

Në të dyja kontratat gjendet e sigluar dhe firma e Grida Dumës, si njëra prej dy aksionarëve që realizonte shitjen. Ose Grida Duma ka hedhur firmën e saj në dy kontrata, duke mos e ditur se çfarë ishte duke bërë dhe e futur në kurth nga ish-ortaku i saj, të cilit i ka besuar pa verifikuar. Ose Grida Duma mund të ketë pasur dijeni të plotë mbi mashtrimin, që po realizohej dhe ka ekzekutuar finalizimin e këtij mashtrimi, që solli një përfitim diku tek 95 mijë euro, për shitësit e dyfishtë.

Në të gjithë këtë histori mashtrimi, bie në sy se si një ‘vajzë’ si Grida e ka gjetur veten të përfshirë në një mashtrim kaq ordiner, i cili herët a vonë do të diktohej, pasi ishte thjesht çështje kohe.

Hetuesit e kësaj çështje e lidhin këtë skemë mashtrimi, kryesisht me moshën e Albert Palit, pronarit të truallit. Duke qenë se ishte mbi të 80-at dyshohet se hartuesi/it e skemës mashtruese mund të jetë nisur nga fakti se Palit nuk i kishte mbetur shumë kohë për të jetuar.

E kanë gënjyer që në fillim dhe më pas e kanë sorollatur për 6 vjet me rradhë me shpresën që mosha do bënte të vetën dhe nuk do arrinte ditën e zbardhjes së mashtrimit. Po ja që zoti Pali, një i moshuar këmbëngulës ka qëlluar jetëgjatë.

Sipas hetuesve, ka pasur disa raste të ngjashme të ndodhura në Shqipëri, me shitjet e dyfishta të apartamenteve apo sidomos të pronave të dedikuara për pronarët e truallit, për më tepër në rastet kur këta pronarë trualli kanë qenë të moshuar.

Rexho u dënua për vjedhje dhe mashtrim. Po znj.Duma kur do dënohet? “Roland Rexho dhe Grida Duma kanë mashtruar edhe persona të tjerë gjë që del qartë nga ekstrakti historik i regjistrit tregtar” – thotë padia e ngritur nga 85-vjeçari.

Mashtrimi është më shumë se thjesht moszbatim kontrate. Këto tre apartamente me nga dy dhoma dhe një kuzhinë me sipërfaqe totale 283 m2 rezultojnë…të shitura (!) atë ditë kur Albert Pali ka bërë kontratën për këto apartamente në bazë të marrëveshjes. Dy apartamente, janë shitur 5 ditë më përpara (kontrata me Palin është bërë në 14.10. 2008, nderkohe që 2 apartamentet që sipas kontratës “do t’i jepeshin” Palit,  ishin shitur që në datën 9.10. 2008 dhe tjetri në 14.10. 2008, ditën kur pronari i truallit dhe ndërtuesit kanë nënshkruar këtë kontratë përpara noteres.

“Dita” disponon të tria kontratat e sipërmarrjes, të cilat provojnë shitjen e këtyre apartamenteve atë ditë, dhe 5 ditë më përpara. Nga ana tjetër avokati i paditësit, në një intervistë për “Ditën” ka shpjeguar më shumë detaje për këtë padi:

Zoti Doja cila është arsyeja që klienti juaj ka bërë një kallëzim penal për zonjën Grida Duma?

Sipas dokumentacionit që  disponon klienti im, aneksi i kontratës është nënshkruar në vitin 2008. Me anë të kësaj kontrate është rënë dakord për pjesët takuese (tre ambiente banimi, dy në katin e tretë dhe një në katin e gjashtë )të klientit tim Albert Pali në këmbim të truallit të vënë në dispozicion të kësaj firme ndërtimi.

Kur ka ndodhur kjo ngjarje dhe pse pikërisht tani u bë kallëzimi?

Albert Pali bëri kallëzim për dyshen Rexho-Duma sepse janë këta dy ortakë të shoqërisë që e mashtruan duke i dhënë në fund vetëm një apartament dhe duke i shitur personave të tjerë apartamentet që ishin destinuar për të.

A është përpjekur klienti juaj, Albert Pali të gjej një zgjidhje konsensuale me zonjën Duma dhe ortakun e saj Roland Rexho për ta zgjidhur këtë çështje pa shkuar në gjykatë?

Albert Pali jeton në Itali, mbase mosha dhe largësia kanë ndikuar tek vonesa e ndjekjes së çështjes. Në dijeninë time, di që është munduar të kontaktoj, por nuk ka arritur për shkak se kanë ndërruar numrat e telefonit dhe selinë e shoqërisë.

Në kallëzimin e klientit tuaj thuhet se dyshja Duma-Rexho kanë mashtruar edhe persona të tjerë, sa është numri i të mashtruarve dhe cila është rruga që ata kanë ndjekur nëse keni dijeni sigurisht?

Nëpërmjet ekstraktit historik që morëm në Q.K.R. mësuam se asaj shoqërie ndërtimore i janë vënë në sekuestro asetet me vendime gjyqësore. Në ekstrakt është numri i saktë i të mashtruarve.

Duke qenë se implikohet një person i përfshirë në politikë mendoni se do të jepet drejtësi për këtë rast?

Nuk kam pse të paragjykoj. Fakti që unë orientova klientin tim për t’ju drejtuar drejtësisë, do të thotë se kam besim në zgjidhjen e kësaj çështje

Ka zëra që thonë se ky është një sulm politik ndaj zonjës Duma?

Kush mendon se ky është një sulm politik ndaj znj. Duma e ka gabim, për arsye se askush nuk po shpif dhe po i ngarkon asaj një gjë që se ka bërë. Unë si avokat për këto që them bazohem tek provat shkresore dhe jo tek politika.

Foto më poshtë: Faksimile të kontratave shitjes së të njëjtin apartament dy shtetasve të ndryshëm, Albert Pali dhe Dritan Çela. Kontrata është lidhur në të njëjtën datë, në të njëjtën  zyrë noteriale, dy dyja të firmosura nga zonja Duma dhe ortaku i saj:

Padia për mashtrim ndaj znj.Duma

Grida Duma (Shqina), e datëlindjes 11/06/1977, pedagoge pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, dega filozofi-sociologji me adresë: Sheshi “Nënë Tereza” Tiranë, Kutia Postare Nr. 183 është paditur së bashku me Roland Rexho, i biri i Odisesë, lindur me 1958, banues në rr. “Nikolla Tupe” Tiranë.

Unë Albert Pali kam qenë pronar i një trualli prej 281 m2 në Rr. “Edit Durhan”, pronë të cilën me anë të kontratës së sipërmarjes dhe aneksit të kesaj kontrate, ja kam dhënë për ndërtim ndërtuesve Roland Rexho dhe Grida Duma të cilët ishin bashkëpronar të firmës ndërtuese “Kristian Costruction” sh.p.k. dhe në përfundim ata detyroheshin të kalonin në pronësinë time tre apartamente me nga dy dhoma dhe një kuzhinë me sipërfaqe totale 283 m2.

Të lartpërmendurit më kanë dorëzuar vetëm një apartament me sipërfaqe rreth 90 metra katrorë dhe sipërfaqet e tjera të cilat duhet të ishin në pronësi time i kanë shitur tek persona të tjerë.

Veprimet e kryera nga të lart-përmendurit plotësojnë elementët e veprës penale të vjedhjes me anë të mashtrimit parashikuar nga neni 243/2 të Kodit Penal. Për më shumë Roland Rexho dhe Grida Duma kanë mashtruar edhe persona të tjerë gjë që del qartë nga ekstrakti historik i regjistrit tregtar” – thotë padia e Palit.

Bashkëlidhur padisë gjenden edhe dokumentet provës të kallëzimit si kontrata e sipërmarrjes dhe aneksi, ekstrakti i QKR-së dhe aktet e pronësisë.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK

Click Here To Join Native Media
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com