Connect with us

Lajme

Festime e grumbullime/ Komitetsat e Ramës dhe Lali Eri shpërfillin pandeminë, pasojat te qytetarët

Publikuar

Në ditën e fundit të 2021, Ministria e Shëndetësisë njoftoi evidentimin e 708 rasteve të reja me Covid nga 4485 testime të realizuara. Pjesa më e madhe e rasteve të reja ishin në Tiranë, ku sipas shifrave zyrtare ishin evidentuar 362 të infektuar.

Shifrat e raportuara dje janë ndër më të lartat të muajve të fundit, çka duket se vendi ka nisur përballjen me një tjetër valë të pandemisë, gjë që më parë ka ndodhur dhe po ndodh në shumë prej vendeve europiane.

Por kjo situatë duket se nuk ka penguar aspak Komitetin Teknik të Ekspertëve, nën varësinë e Kryeministrit Edi Rama, si dhe Kryebashkiakun Erion Veliaj, që të shfaqë jo tolerancën maksimale, por një papërgjegjshmëri maksimale, lidhur me pandeminë.

Në Tiranë, në dallim nga shumë vende europiane, kryeqytete të Botës, ku u anulluam festimet, veçanërisht në sheshe, qytetarët u thirrën për tu mbledhur dhe për të festuar në show-n e Veliajt dhe me miratimin e Komitetit Teknik.

Në një vend ku vaksinimet po ecin në ritmet më të ulëta krahasuar me të gjitha vendet e Europës, ku një pjesë e konsiderueshme e të vaksinuarve kanë marrë vaksinën kineze, ende e pacertifikuar nga EMA, ku për asnjë moment nuk janë marrë masa në përputhje me kriteret shëndetësore dhe ku besueshmëria e atyre që shfaqen në media si ekspertë të luftës ndaj Covid-19 është në minimumin e mundshëm, dje me lejen dhe papërgjegjshmërinë e zyrtarëve të shëndetësisë dhe atyre politikë, u eksperimentua me situatën e pandemisë.

Sot anëtarët e Komitetit apo të tjerë zyrtarë, mund të shfaqen me këshillat e tyre për respektimin e masave anti-Covid, por s´do kenë asnjë vlerë, dhe aq më tepër do të bëhen edhe më të pabesueshëm, pasi me qëndrimet që shfaqin, e kanë kthyer pandeminë në një lojë, ku virusi shfaqet sa herë Komiteti apo Edi Rama vendosin shtrëngim masash, dhe ai zhduket sa herë Erion Veliaj apo dikush tjetër, organizon një koncert, spektakël apo i duhet një show.

Bazuar në ato që vetë deklarojnë, rezultatet e grumbullimeve të tilla japin efekt pas dy javësh. Ndaj nëse në mesin e janarit, do të ketë një shumëfishim rastesh, gishti i përgjegjësisë i duhet drejtuar komitetsave të Ramës dhe më pas të papërgjegjshmëve që janë në zyrat e këtij vendi, nga Bashkia e Tiranës te godina e Kryeministrisë. Pasojat bien mbi qytetarët, një pjesë e të cilëve e kanë paguar me jetën e të afërmve që kanv humbur jetën nga Covid, ndërsa të tjerë janë zhytur në borxhe, për të siguruar kurimin.

NA NDIQ NË FACEBOOK