Connect with us

Lajme

Eksploziv makinës në Tiranë, dy të plagosur/ E shkuara e shënjestrës së atentatit

Publikuar

Zbardhen detaje të reja nga shpërthimi me lëndë plasëse në një makinë në lëvizje, në “Unazë të Re”, në Tiranë. Të plagosur kanë mbetur shoferi i mjetit, 42-vjeçari Mikel Harizaj, si dhe pasagjeri në mjet, Serini Dumi, 26 vjeç.

Në makinën me të cilën lëviznin dyshohet se është vendosur lëndë shpërthyese, ndërsa objektivi i atentatit dyshohet të jetë Harizaj.

“Rreth orës 02:50 të mëngjesit, në Unazën e Re, në afërsi të rrethit të Selitës, në rrethana ende të paqarta ka shpërthyer dyshohet lëndë plasëse në mjetin në lëvizje, me drejtues shtetasin M. H., 42 vjeç dhe pasagjer shtetasin S. D., 26 vjeç. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri, të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.

42-vjeçari Harizaj rezulton me precedentë penalë. Në vitin 2009, Mikel Harizaj ka plagosur me granatë tre persona, pas sherrit me to në ambientet e një lokali, në Selenicë të Vlorës.

Nga raportimet e policisë në atë kohë, pas sherrit, Harizaj kishte dalë nga lokali dhe kishte shkuar te makina e tij, që e kishte të parkuar afër lokalit, prej ku kishte marrë një granatë dore, me të cilën kishte sulmuar shtetasit Ervis Alushi, Gentian Abazi dhe Edison Ademi. Nga shpërthimi i granatës kishte mbetur i plagosur i rëndë njëri prej tyre, ndërsa dy të tjerët kishin marrë plagë më të lehta. Për ngjarjen, Mikel Harizaj ishte arrestuar më vonë nga policia për vrasje të mbetur në tentativë.

NA NDIQ NË FACEBOOK