Lajme
Bardhi: Nuk ka pasur asnjë sulm nga brenda selisë kundër protestuesve

Për Gazment Bardhin, personat që dolën nga brenda selisë së PD dhe goditën protestuesit si dhe hodhën gaz ndaj tyre gjatë 8 Janarit, vepruan në kushtet e vetëmbrojtjes. Këtë qëndrim mbajti Gazment Bardhi këtë të Enjte, pas daljes nga prokuroria e Tiranës, ku siç u shpreh, dha shpjegime lidhur me ngjarjet e dhunshme të ndodhura gjatë protestës në selinë e Partinë Demokratike.
Bardhi u pyet nga gazetarët lidhur me episodin në ballkonin e PD, ku persona që dolën nga brenda selisë dhunuan protestuesit. “Kam dhënë deklarime për çdo çështje që jam pyetur. S’ka pasur asnjë sulm nga asnjë person, ka pasur akte vetëmbrojtje për të ndaluar protestuesit e dhunshëm për tu futur në ambientet e PD ku po zhvillohej një mbledhje“, u shpreh ai.
Bardhi mohoi blindimin e dyerve në katin e parë të selisë, duke thënë se ato janë metalike dhe jo blind. Sipas tij, u vendosën për të parandaluar “planin e Sali Berishës për gjakderdhje mes demokratëve”.
Po ashtu, shtoi se do të jenë aty derisa të jetë e nevojshme për të shmangur këtë qëllimin që sipas tij, ka ish-kryeministri Berisha.
Lidhur me gazin që u hodh nga brenda selisë ndaj protestuesve, tha se ishte lënda që gjendet në fikësit e zjarrit.
“Kam rikonfirmuar se e vetmja lëndë rrethanore e gjetur në selinë qendrore në seli kanë qenë fikëset e zjarrit”, tha ai. “Çdo person në selinë e PD i është nënshtruar kontrollit fizik si dhe selia, prokuroria pohoi në seancë gjyqësore gjatë dhënies së masave se asnjë send i ndaluar s’u gjet në selinë e PD”, shtoi.




















