Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë, ku një 29-vjeçar është vrarë me armë zjarri në rrugën ‘Irfan Tomini’, në zonën e Selitës.
Viktimë ka mbetur Jurgen Duka, ndërsa raportohet se ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes viktimës dhe një personi tjetër ende të paidentifikuar.
Fillimisht Duka ka mbetur i plagosur, ndërsa ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Sakaq, policia ka marrë në pyetje disa persona në lidhje me krimin ndërsa dyshohet se të rinjtë kanë qenë të dehur.
“Me datë 14.12.2021, rreth orës 00:20, në rrugën ‘Irfan Tomini’, shtetasi Jurgen Duka (M)., është konfliktuar me një person ende të paidentifikuar. Personi ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ku ka mbetur i plagosur shtetasi Jurgen Duka (M)., rreth 29 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi Jurgen Duka (M)., ka ndërruar jetë në Spitalin Universitar të Traumës. Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë ka sekuestruar prova materiale që shërbejnë për të identifikuar autorin e ngjarjes. Janë marrë në pyetje shoku i shtetasit Jurgen Duka (M)., dhe persona të tjerë në vendngjarje. Vijon puna për identifikimin e kapjen e autorit”, njoftoi policia.
Lexo edhe:
I riu u qëllua pas sherrit në Tiranë/ Detaje nga vr*sja në Tiranë























