Connect with us

Lajme

U arrestua 1 vit më parë për drogë, vritet me armë zjarri 29-vjeçari, u qëllua pas sherrit në market

Publikuar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë. Mësohet se një 29-vjeçar është qëlluar me armë zjarri në rrugën ‘Irfan Tomini’. Viktimë ka mbetur i riu Jurgen Duka (Mëziri), ndërsa raportohet se ngjarja ka ndodhur pas një sherri brenda një marketi 24 orësh mes viktimës dhe një personi tjetër ende të paidentifikuar.

Fillimisht Duka ka mbetur i plagosur ndërsa ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë pasi plumbi e preku në zemër. Sakaq, policia ka marrë në pyetje disa persona në lidhje me krimin, ku është thënë se të rinjtë kanë qenë të dehur.

Jurgen Duka nuk është një emër i panjohur për policinë pasi rezulton me precedent të mëparshëm kriminal. Rasti më i fundit, në vitin 2020 ai u arrestua së bashku me Elison Hysenbelli në kuadër të operacionit anti-drogë mes Italisë dhe Shqipërisë, të koduar ‘Riviera’ dhe do ekstradohej drejt vendit fqinj për t’u gjykuar.

Mbetet e paqartë se si viktima u lirua nga qelia. Ndërkohë vijon puna nga autoritetet për të identifikuar dhe arrestuar autorin e vrasjes.

Jurgen Duka (Mëziri) dhe shoku i tij O.D., kanë hyrë në market ‘Juli’ në rrugën ‘Irfan Tomini’ dhe pas një debati, ka filluar një konflikt me një person tjetër të paidentifikuar ende. Sherri ka agravuar dhe ky i fundit ka qëlluar Dukën me armë zjarri duke e lënë fillimisht të plagosur, ndërsa më pas 29-vjeçari ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës.

Viktima është person me precedent të mëparshëm kriminal. 29-vjeçari mësohet se është arrestuar në vitin 2020 në kuadër të një operacioni anti-drogë mes Shqipërisë dhe Italisë ku u prangosën edhe disa persona të tjerë. Duka do të ekstradohej në Itali për t’u gjykuar.

Operacioni “Riviera” u iniciua nga Prokuroria Rajonale Antimafia në Bolonja, në bashkëpunim me Grupin e Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierisë në Bolonja. Grupi kriminal i trafikut përbëhej nga shqiptarë dhe italianë. Operacioni në Itali u zhvillua në Marche, Emilia Romagna, Lombardi dhe Liguri.

Akuzat dhe dënimet nga viti 2013 në vitin 2020

Jurgen Duka, në vitin 2013 është proceduar për veprën penale “Mashtrimi” dhe në vitin 2014 është proceduar për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Në vitin 2016 Jurgen Duka është dënuar me 8 muaj burg për veprat penale “Falsifikimi i monedhave”.

Në vitin 2017 është dënuar me 4 muaj burg për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Përndjekja”.

Në vitin 2020 Duka u arrestua për drogë së bashku disa persona të tjerë.

NA NDIQ NË FACEBOOK