Lajme
Publikimi i Targave rrëzon justifikimin banal të Edi Ramës për “kriminelin në Tatime”

Nga Boldnews.al
Një regjistër mbi 500 mijë targa automjetesh në pronësi të qytetarëve është publikuar gjatë kësaj fundjave, duke iu shtuar skandalit të të dhënave personale të siguruara nga “Patronazhistët” e Partisë Socialiste dhe “Listës së Pagave” të mbi 630 mijë shqiptarëve.
Situata është katostrofike për qeverinë “Rama”, e cila në rastin më të mirë është treguar tërësisht e paaftë për të ruajtur konfidencialitetin e të dhënave të shtetasve.
Por, dyshimet më të forta janë që lista me të dhëna personale janë hartuar nga zyrtarë të administratës, për t’ua vënë në dispozicion armatës së “Patronazhistëve”, e për t’i përdorur për presione apo joshje elektorale.
Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi këtë dyshim.
Në një konferencë për media mesditën e së Enjtes, pak orë pasi në telefonat e mijëra qytetarëve po dërgohej lista e pagave të qindra mijëra personave, Rama orientoi hetimet e Prokurorisë drejt një “dore kriminale në Tatime”, duke mohuar me forcë se njerëz pranë tij janë përgjegjës për rrjedhjen e pagave të shqiptarëve.
Por, publikimi i listës së Targave, një e dhënë e cila nuk administrohet nga “një dorë kriminale në Tatime”, e rrëzoi menjëherë justifikimin banal të kryeministrit shqiptar.
Sistemi i Targave menaxhohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Këto të dhëna, së bashku me gjeneralitetet e shqiptarëve dhe pagat e tyre, gjenden në një sistem të vetëm, “E-Albania”, të menaxhuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Nga e njëjta bazë të dhënash rrodhën para zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit 2021 listat me gjeneralitetet e 900 mijë personave në Tiranë.
Këto emra u gjendën në duart e “Patronazhistëve”, një grup gjigand personash që punonin në errësirë për Partinë Socialiste.
Në atë kohë, Rama i mbrojti Patronazhistët, duke deklaruar se të dhënat që gjendeshin në sistemin e tyre partiak ishin siguruar nga kontaktet derë më derë me qytetarët.
Mijëra persona mohuan që të jenë kontaktuar nga militantë të Partisë Socialiste, megjithëse emrat dhe numrat e tyre të telefonit ishin të saktë në listën gjigande partiake.
Pas shpërthimit të skandalit të “Patronazhistëve”, nisi një hetim penal nga prokurorët e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), e cila u dekorua me titullin “heronjtë e fëmijëve shqiptarë” nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Pas disa muajsh dhe pas një kërkese të rrëzuar në mënyrë të vazhdueshme për sekuestrimin e serverit të redaksisë së “Lapsi.al”, e cila e publikoi e para listën e Patronazhistëve, SPAK-u hoqi dorë nga hetimi, pa kryer asnjë veprim minimal mbi “Patronazhistët” apo institucionet që menaxhojnë të dhënat e qytetarëve.
Pasi SPAK-u mbylli sytë për atë skandal, të tjera rrjedhje bombarduan publikun, fillimisht me Pagat e më tej me Targat.
Janë të dhëna, të cilat gjenden të gjitha të grupuara në “E-Albanian” e AKSHI-t. Drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, garantoi në krah të kryeministrit Rama se “të dhënat e shqiptarëve janë të sigurta”.
Një shprehje, e cila ashtu si deklarimi i Ramës për “një dorë kriminale në Tatime”, duket se nuk bind as militantët më të verbër të “Rilindjes”.




















