Lajme
Osmani në Stokholm do të marrë pjesë në Këshillin ministror të OSBE-së

Pas përfundimit të sotëm të Këshillit të Aleancës Veriatlantike, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ka udhëtuar drejtpërdrejt për në Stokholm të Suedisë, ku nga nesër do të marrë pjesë në takimin e Këshillit Ministror të OSBE-së të organizuar nga kryesia suedeze e kësaj organizate.
Gjatë qëndrimit në Stokholm, siç njoftojnë nga MPJ, Osmani do të mbajë fjalim në seancën plenare të këshillit, si dhe do të marrë pjesë në ngjarje/takime lidhur me temat kryesore të organizatës. Në margjina do të ketë takime të shumta me homologët e tij nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, por edhe me përfaqësues të Sekretariatit të organizatës.
“Maqedonia e Veriut do t’i bashkohet Trios së OSBE-së vitin e ardhshëm, së bashku me Suedinë, këtë vit dhe Poloninë, e cila e ka presidencën e vitit 2022. Vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut do të kryesojë Grupin e Partnerëve Mesdhetarë për Bashkëpunim me OSBE-në, si një mundësi e mirë për të lënë gjurmë në arenën më të gjerë ndërkombëtare, duke avokuar dhe promovuar bashkëpunimin si shtytës i marrëdhënieve ndërkombëtare”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.


















