Lajme
Rasti “Alfa”/ Dauti i reagon Mariçiqit: Isha bashkë me Agimin në lokal, ai vazhdon të vuaj burg krejtësisht i pafajshëm

Pas emisionit ClickPlus në TV21, ku i ftuar ishte Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar Ramiz Dauti, familjar i të dënuarve në rastin “Alfa”, lëndë për të cilën ka kërkesë për rigjykim pas një ekspertize të re forenzike, por çështja ende po zvarritet.
Ministri i Drejtësisë Mariçiq në ClickPlus tha se lënda aktualisht është në Gjykatën e Apelit dhe mbrojtja e njërit prej personave në atë rast ofron disa prova apo ekspertiza të reja, por mbetet që ajo ekspertizë të verifikohet nga organet tona dhe Gjykata të vendos nëse do të ketë përsëritje të procedurës.
Pas emisionit, erdhi edhe reagimi i Dautit, i cili mes tjerash shkruan edhe se është pjesëmarrës drejtpërdrejt i propozuar nga Prokuroria në rastin “Alfa” dhe se ka dëshmuar se ditën kur ka ndodhur rasti ka qenë në të njëjtën tavolinë dhe në të njëjtin vend dhe lokal me të dënuarin Agim Islamin dhe disa të tjerë të cilët kanë dashur të dëshmojnë.
“Dua një pergjigje, si ka mundësi që Agimi është vrasësi dhe unë jam i pafajshëm, si?! Unë pretendoj se kam qenë me të! Ministri i “Drejtësisë” Bojan Mariçiq në emision live në TV21, nuk e di nëse i përgjigjet me vetëdije pyetjeve konkrete! A është i vetëdijshëm se ka trashëguar një ministri të korruptuar me një sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut dhe një sërë rastesh të sajuara politike si “Alfa”? Nuk me besohet se njeriu kërkon ndihmë nga Bashkimi Evropian dhe gjatë gjithë kohës kërkon ligje shtetërore brenda? Për cilat ligje Bojan? A e dini se keni hyrë në një rreth të ngushtë? Gjyqtarët dhe prokurorët dhe kryeministrat, kanë deklaruar publikisht në rastin konkret dhe tani keni fytyrë të dilni Live në një emision dhe të flisni thashethemet pa lidhje e të turpshme. Do të habiteni shumë shumë. Askush nuk po kërkon nga ju dhe nga drejtësia e “Pavarur” që të shpallni pafajësinë, por të na jepni mundësinë të provojmë pafajësinë tonë duke përsëritur procedurën etj”, ka shkruar Dauti në Facebook, raporton tv21.tv
Përndryshe, në qershor të këtij viti, mbrojta deri te Gjykata Penale dorëzoi edhe ekspertizën e kryer jashtë shteti, në të cilën thuhet se Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Agim Islami nga Shkupi janë të pafajshëm dhe janë dënuar mbi dëshmi joligjore dhe të kurdisura.
Rasti Alfa ka ndodhur më 26 nëntor 2008, në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup, nga ku jetën kishte humbur polici shqiptar nga njësiti Alfa, ndërsa ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët ai kishte qenë në patrullë. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi dhe Agim Islami./TV21















