Lajme
Ergys Verdho, tender 1 milionë USD për sistemin e parashikimit të motit në KESH!

Nga Boldnews.al
Ergys Verdho është një nga drejtorët më kontrovers në drejtimin e kompanive më të mëdha shtetërore. Dikur si drejtues i ARRSH-së dhe sot në krye të KESH.
Emri i tij është i përfolur në dhjetëra procedura të dyshimta, nga ato me shumë zero. Por, duket se ideja e hedhur së fundmi që KESH të bashkohet me OSHEE ka “shqetësuar” Verdhon. Natyrisht, suporti më i madh i tij është ministrja Belinda Balluku, me të cilën shpesh është shfaqur në publik, duke bërë ecejake.
Dhe, nëse ndodh bashkimi i kompanive atëherë mund të sistemohej në ndonjë drejtori të rëndësishme, apo ndonjë post honorifik si zv.ministër. Por, në mungesë apo vonesë të një vendimi të tillë, Verdho ka shpejtuar procedurat tenderuese në KESH.
BoldNews.al ka siguruar dokumente të një tenderi që po zhvillon Verdho, një procedurë e majme për blerjen e sistemit të parashikimit të motit.

Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, Ergys Verdho ka hapur një tender të majmë për blerje sistemi të parashikimit të motit. Objekti i procedurës së prokurimit është “sistemi i parashikimit satelitor të motit për operimin dhe menaxhimin e kaskadës në kuadër të sigurisë së digave”. Bëhet fjalë për fazën e parë, pasi për këtë sistem do shpenzohen më shumë para’. Në dokumente thuhet se fondi për këtë procedurë është 89,000,000 lekë, ose me TVSH rreth 1 milionë USD. Tenderi do të zhvillohet në muajin dhjetor 2021, ndërsa pas kësaj procedure ngrihen shumë pikëpyetje. A ka pasur deri më tani KESH një sistem të parashikimit të motit?
Si e kanë parashikuar motin deri më tani zyrtarët e KESH? E kanë të punësuar meteorologë apo kanë të instaluar pajisje të tjera? Përse këto procedura nuk i bënë drejtorët e mëparshëm?
Duket se Verdho ka dorë të lirë nga ministrja Balluku, apo nga kryeministri Edi Rama. Tërheqja e vëmendjes në debate shterpë për fotot e ish-diktatorit apo përplasja e brendshme në PD, ka sjellë që socialistët tashmë të veprojnë lirshëm. Kjo e përkthyer në dëm të të gjithë taksapaguesve.

Muaji dhjetor është muaji i “festës” për KESH. Në këtë muaj ai po zhvillon disa tendera të dyshimtë, ku krahas sistemit të parashikimit të motit, Verdho ka hapur një tjetër procedurë me objekt “shërbim i enkriptimit të komunikimit: Siguria kibernetike në infrastrukturën kritike”.
Fondi për këtë tender është plot 50 milionë lekë të rinj, ndërsa edhe kjo procedurë do të zhvillohet në muajin dhjetor.













