Connect with us

Lajme

Debat për “të ardhmen e Evropës, ambasadorët e grupit të Vishegradit dhe Sllovenisë në panel diskutim

Publikuar

Debati “E ardhmja e Evropës” brenda BE zyrtarisht filloi në maj të këtij viti dhe planifikohet që të zgjas deri në mars të vitit 2022. Konferenca “E ardhmja e Evropës” në fakt është seri e disa debateve dhe diskutimeve të udhëhequra nga qytetarët që do tu mundësojnë qytetarëve nga gjithë Evropa të ndajnë idetë e tyre dhe të ndihmojnë në formësimin e ardhmërisë së përbashkët evropiane.

“Njerëzit duhet të jenë në qendër të politikave tona. Andaj, dëshira ime është që gjithë evropianët në mënyrë aktive të kontribuojnë në Konferencën për të ardhmen e Evropës dhe të luajnë rol kryesor në vendosjen e prioriteteve të BE. Vetëm së bashku mund të ndërtojmë Unionin tonë të së nesërmes”, tha Ursula Fon der Lajen – kryetare e KE-së.

Iniciatori i panel diskutimit në Shkup, ambasadori hungarez, Llasllo Ishtvan, theksoi pikëpamjen hungareze të BE dhe theksoi se zgjerimi është një prej politikave më të rëndësishme të BE.

“Ne dëshirojmë anëtarësim të plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me të vërtetë vlerësojmë se është vonuar për shkak se Maqedonia ndër të parat në rajon e filloi procesin, ndërsa ende nuk ka filluar negociatat aderuese. Qëndrimi i Hungarisë është se BE ka më shumë përfitim nga zgjerimi sesa vendet që aderojnë në Union dhe andaj angazhohemi që kjo të mbetet lartë në agjendën e prioriteteve të BE. BE u ka premtuar vendeve nga rajoni që nëse i plotësojnë kriteret për anëtarësim do të bëhen vende anëtare, andaj për kredibilitetin e BE është e rëndësishme që të përmbushen këto premtime. Kjo vlen edhe për këtë vend”, u shpreh Llasllo Ishtvan – ambasador i Hungarisë.

Ambasadori i Sllovenisë, vendi i cili është kryesues aktual me BE-në, Millan Predan theksoi se ende është optimist në lidhje me fillimin e negociatave të vendit tonë me BE-në.

“Ne si kryesues e ndajmë mendimin me shumicën e vendeve të BE-së se nuk duhet të ndahen Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria për shkak se ky është mesazh i keq për rajon. Ne jemi ende optimistë dhe duhet të pranojmë se ende nuk ka qeveri në Bullgari, por edhe shumicë të qartë parlamentare këtu. Që të gjendet zgjidhje, të dy vendet duhet të jenë më aktivë. Shpresoj se Shkupi dhe Sofja do të mund të arrijnë kompromis për çështjet bilaterale. Gjatë ditëve në vijim do të ketë dialog të ri mes grupeve të ekspertëve. Ka mundësi për vendim në dhjetor i cili mund të formalizohet në janar, vetëm nëse Bullgaria formon qeveri”, potencoi Millan Predan – Ambasador i Sllovenisë.

Ambasadori i Republikës së Çekisë, Mirosllav Toman theksoi se mes prioriteteve të kryesisë së Çekisë me BE-në, në korrik të vitit të ardhshëm, mbetet zgjerimi, ndërsa sa i përket RMV-së, dëshiron që të ndodhë shumë më herët.

“Ne e marrim kryesinë në korrik, do të doja fokusin ta kemi te gjëra të tjera se sa te mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare për shkak se duam që e njëjta të mbahet sa më shpejtë që është e mundur”, potencoi Mirosllav Toman – Ambasador i Çekisë.

Ambasadori i Sllovakisë, Henrik Markush theksoi se bllokimi i Maqedonisë dhe Shqipërisë nga Presidenti Makron në vitin 2019 përmes vendosjes së Metodologjisë së re, ishte gabim, pasojat prej të cilit tashmë po shihen.

“Mbetet për t’u parë nëse Metodologjia e re do të jetë mjet efektiv, por ne besojmë se në tetor të vitit 2019 duhej të sillte vendim për hapje të negociatave, kurse Metodologjia e re të zbatohej paralelisht. Ky ishte një gabim i madh dhe sot i shohim pasojat e këqija prej këtij gabimi”, tha Henrik Markush – Ambasador i Sllovakisë.

Ambasadori i Polonisë, Vojcieh Ticinjski e theksoi mbështetjen e fuqishme për zgjerimin, duke thënë se integrimi i Ballkanit Perëndimor ka domethënie gjeopolitike për BE dhe se Unioni nuk guxon të lejojë ndikime dhe përzierje nga palë të treta të cilat nuk kanë tendenca demokratike në rajon. Në pyetjen – cilat janë këto palë të treta, ai dha përgjigje diplomatike.

“Unë jam diplomat…. Mendoj se secili që ka sado pak njohuri për politikën ndërkombëtare dhe i ndjek zhvillimet në rajon, duke e marrë parasysh karakterin në rajon, e di për çka jam duke folur”, potencoi Vojcieh Ticinjski – Ambasador i Polonisë.

Ambasadori Milan Predan, i pyetur – në çka bazohet optimizmi i tij për start të negociatave të RMV-së gjatë kryesimit slloven, u përgjigj:

“Nuk më lejohet të jem pesimist… Disa sinjale që vijnë nga vendi fqinj janë inkurajuese dhe shpresoj se do të shkojmë drejt një qasjeje më pragmatike. Në krahasim me të kaluarën, kemi nevojë për vullnet politik dhe pragmatizëm”, shtoi Ambasadori i Sllovenisë, Millan Predan.

Në panel debatin me pyetje dhe mendime të tyre morën pjesë edhe studentët e Kolegjit Amerikan.

NA NDIQ NË FACEBOOK