Lajme
Zaev bisedon me Gashin rreth mundësisë që AAA të bëhet pjesë e qeverisë

Kryeministri Zoran Zaev ka zhvilluar bisedë telefonike me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi.
Informacionin për Alsat e konfirmojnë burime të LSDM-së nga ku thonë se kreu socialdemokrat i ka ofruar kreut të Alternativës që të zgjedh ditën kur duan të ulen dhe të bisedojnë për zgjerimin e shumicës parlamentare.
Alsat kërkoi qëndrimin e Gashit për të konfirmuar bisedën telefonike dhe takimin e mundshëm, por deri në këto momente nuk morëm përgjigje konkrete.
Ndërkohë Alternativa ka mbledhur kryesinë e ngushtë për të diskutuar hapat e mëtejmë si subjekt politik.
Jo zyrtarisht, Alternativa po shqyrton mundësinë për të qenë pjesë e pushtetit, por një informacion të tillë as nuk e konfirmojnë dhe as nuk e përgënjeshtrojnë nga partia e Afrim Gashit. Ky i fundit në paraqitjen e të premtes në Alsat tha se janë të gatshëm të negociojmë për Qeveri derisa partisë së tij i bëhet ofertë konkrete.
Madje Gashi ka potencuar se ofertën për t’u bërë pjesë e shumicës do ta shpalos edhe para partnerit të koalicionit me të cilin vazhdon bashkëpunimi.
Burime të Alsat bëjnë të ditur se Alternativës do t’i ofrohet pakëti Qeveritar i Lëvizjes Besa, ministria e Bujqësisë, dhe dy zëvendësministra, ai i kulturës dhe i arsimit. Në kuadër të pushtetit qendror, Alternativës do t’i ofrohen edhe drejtoritë me të cilat për momentin udhëheqë partia e Bilall Kasamit. Negociatat për zgjerimin e shumicës parlamentare do të zhvillohen në javën që pason dhe fillimin e javës së ardhshme, derisa në Kuvend zhvillohet debati për buxhetin e vitit 2022./ Alsat.mk
















