Lajme
Vrasja e Reçit/ Policia merr ADN-në e të dyshuarve, familjarët nuk bashkëpunojnë

LAÇ– Policia ka marrë ADN-në e 20 personave të dyshuar për vrasjen e ish-efektivit të Policisë, Xhelal Reçi, e cila do të krahasohet me ato pak gjurmë të gjetura në vendin e ngjarjes dhe automjetin e djegur. Mësohet se familjaret e ish-policit të vrarë nuk kanë bashkëpunuar me Policinë për zbardhjen e ngjarjes, duke mos iu dhënë asnjë orientim mbi personat e dyshuar.
ADN-ja është marrë pikërisht këtyre personave pasi kanë pasur konflikte me djalin e viktimës Besnik Reçi, ndaj të cilit u organizua një atentat me armë zjarri në gusht të vitit 2020, teksa po lëvizte me makinë bashkë me familjen në rrugën e Shëngjinit.
Hetuesit po analizojnë qelizat telefonike të një numri të madh personash të dyshuar për të parë vendndodhjen e tyre në momentin kur ka ndodhur ngjarja, çka mund të ndihmojë grupin hetimor për të rënë në gjurmët e autorëve.
Kamera e sigurisë e një banke të nivelit të dytë në qendër të qytetit të Laçit, ka filmuar ekzekutimin e 61- vjeçarit Xhelal Reçi, por duke qenë se autorët kanë qenë me maska mjekësore, nuk është arritur të bëhet identifikimi i tyre.
Dyshimet janë se ekzekutimi i ish-policit 61- vjeçar është kryer nga vrasës me pagese që mund të kenë ardhur nga Fieri.
Reçi u godit me dy plumba pistolete, njëri prej të cilëve ishte fatal për të teksa po hapte qepenin e biznesit së tij. Të paktën tre persona kanë marrë pjesë në atentat ndaj 61- vjeçarit, dy prej të cilëve të armatosur me armë zjarri të llojit pistoletë, ndërsa i treti luante rolin e shoferit të mjetit me të cilin ata u larguan nga vendi i ngjarjes. Pas atentatit, ata u larguan nga vendi i ngjarjes, duke djegur automjetin e vjedhur në afërsi të lumit të Milotit./dosja.al



















