Lajme
VMRO-DPMNE kumtoi shumicë të re parlamentare, LSDM u bëri thirrje për bashkëpunim forcave demokratike dhe deputetëve

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski mbrëmë kumtoi se ka shumicë të re parlamentare me Besën, Të Majtën, Aleancën për shqiptarët dhe Alternativën. Paralajmëroi se nëse kryeministri Zoran Zaev nuk e dorëzon dorëheqjen e paralajmëruar ata do të ngritim iniciativë për mosbesim të Qeverisë. Shumicën e re e përbëjnë 61 deputetë, siç kumtuan disa nga liderët, me tendencë që ajo të rritet deri në 64 deputetë. Nga LSDM ndërkaq u bënë thirrje për bashkëpunim të gjitha forcave demokratike dhe deputetëve “të mos vënë vulë të përhershme me votën e tyre për konflikte të reja, kthim prapa dhe konflikte ndëretnike”.
“Kemi shumicë e cila do të garantojë se kjo qeveri e kryesuar nga LSDM do të mbesë në të kaluarën. E presim dorëheqjen e Zaevit të cilën e paralajmëroi nëse kjo nuk ndodhë do të parashtrojmë mosbesim ndaj Qeverisë. presim ta parashtrojë dorëheqjen”, deklaroi Mickoski mbrëmë pas takimit në Kuvend me liderët e Së Majtës, Dimitar Apasiev dhe të Alternativës, Afrim Gashi, si dhe sekretarët e përgjithshëm të Besës, Arianit Hoxha dhe të ASH-së, Arben Taravari.
Pres, tha Mickoski, në periudhën që pason të përpiqemi të krijojmë shumicë të re qeveritare. Siç tha, të gjitha opsionet janë në lojë.
“Njëri opsion është të formohet shumicë e re me çka do të votohet mocion mosbesimi i qeverisë nëse Zaevi taktizon me dorëheqjen dhe e dyta është të shkojmë në zgjedhje të shpejta dhe të parakohshme parlamentare”, ka thënë Mickoski.
Ai ka paralajmëruar detaje nesër në konferencë shtypi. “Kjo është shumicë me të cilën garantohet se kjo qeveri e drejtuar nga LSDM dhe Zaevi është e kaluar. Për gjithçka tjetër duhet të ulemi, të bisedojmë për përcaktimet programore, të ardhmen, strategjinë më tej, por gjatë ditës së nesërme do të kemi konferencë shtypi dhe do të themi pak më tepër”, ka thënë kryetari i VMRO-DPMNE-së.
Edhe lideri i Alternativës, Afrtim Gashi, pas takimit deklaroi se u tubuan të dëshmojnë se kanë shumicë parlamentare me çka do të shtrojnë nismë për mosbesim të Qeverisë. Më tej, theksoi, do të shohim se si rrjedhin proceset. Nuk është bërë fjalë për formim të Qeverisë, por siç sqaroi, ky është procesi i parë për votim të mosbesimit për Qeverinë.
“Procesi po zhvillohet për shkak të interpelancës së Qeverisë. Nëse votohet mosbesimi, atëherë fillojnë afatet e tjera dhe më pas nis procesi se kush do të jetë kryeministër, çfarë qeverie do të formohet. Pastaj do të ulemi përsëri dhe do të flasim, por është e rëndësishme të dihet se Alternativa nuk do të jetë pjesë e një Qeverie që do të tërhiqej nga proceset integruese euroatlantike. Vendi ynë duhet të ndalet, duhet të mbetet anëtar i NATO-s, duhet të forcojmë marrëdhëniet tona dhe duhet të përshpejtojmë sa më shpejt integrimin evropian. Nëse një parti pjesë e qeverisë e kushtëzon këtë, ne nuk do të jemi pjesë e një qeverie të tillë”, tha Gashi.
Shumicën e re parlamentare e konfirmuan edhe Apasiev dhe Taravari.
“Por, ka shumicë të re. Kjo është zyrtare. I kemi 61, me tendencë deri në 64”, tha Apasiev duke iu përgjigjur me pohim pyetjes nëse shumicën e re parlamentare e përbëjnë VMRO-DPMNE, Besa, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët dhe E majta.
“Shumicë e re, 61”, tha Taravari gjithashtu në pyetjen e gazetarëve.
Ndërkaq nga LSDM porositën se nëse me të vërtetë ka shumicë të re parlamentare presin që kjo të konfirmohet përmes procedurave adekuate të Kuvendit dhe zgjedhjes së mundshme të qeverisë së re. Do të shohim, theksuan nga LSDM, nëse do të zgjidhet Qeveri e re anti-demokratike, anti-Prespë, anti-NATO dhe anti-BE.
“Populli pa se si në një tryezë janë ulur përfaqësues të strukturave anti- NATO, anti- BE dhe anti- Prespë e anti-demokratike në vend, pjesëmarrës të aktiviteteve të përgjakshme nga 27 prilli bashkë me ato që deklarativisht angazhohen për kursin euroatlantik të vendit dhe të rrahur në të njëjtën më 27 prill. Kjo përbërje nënkupton konflikt të parimeve, konflikt të qëndrimeve, konflikt të politikave dhe vlerave. Një përbërje e tillë politike nuk mund të reflektojë asgjë për interesin e qytetarëve, as edhe për interesat nacionale të shtetit, pasi e përbashkëta në atë tryezë është dëshira për pushtet”, thanë nga LSDM.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), theksojnë prej atje, është në anën e qytetarëve, në anën e interesit kombëtar dhe progresit të vendit. LSDM nuk do të lejojë destabilizimin e vendit, anulimin e Marrëveshjes së Prespës, zënka të reja me fqinjët dhe anulimin e gjithçkaje që kemi arritur së bashku me qytetarët në katër vitet e fundit.
“Ka mbështetës të së ardhmes euroatlantike mes deputetëve të partive politike që sonte paralajmërojnë shumicë të re. Ka mes atyre deputetëve njerëz që nuk duan të hyjnë në një pakt me nazistët dhe fashistët nga E Majta e cila hapur është kundër NATO-s. U bëjmë thirrje për bashkëpunim dhe rreshtim të përgjegjshëm në anën e opsionit demokratik. U bëjmë thirrje të gjitha forcave demokratike dhe deputetëve që duan vazhdimin e rrugës së vërtetë, rrugën e progresit, integrimit në BE, drejtësisë dhe progresit ekonomik, të mos lejojnë të lënë vulë të përhershme me votën e tyre dhe të përmenden si deputetë dhe njerëz që sollën grindjet e reja me fqinjët, ngecjet në rrugën drejt BE-së, konfliktet e reja ndëretnike”, thuhet tutje në komunikatën e LSDM-së.
Thanë se shumica e re parlamentare do të duhet ta marrë përgjegjësinë për përballjen me pandeminë dhe me krizën energjetike, përgjegjësinë për sfidat që pasojnë me integrimet evropiane të vendit dhe miratimin e Buxhetit për vitin 2022, kjo është më me përgjegjësi në këtë moment. Këto ditë, potencuan nga LSDM, do të shohim nëse Mickoski ka kapacitet dhe përgjegjësi për këto hapa dhe përgjegjësi.Lideri i BDI-së, partner koalicioni i LSDM-së, Ali Ahmeti porositi se komunikojnë me partitë me përcaktim euroatlantik dhe partnerët strategjikë, si dhe se nuk do të veprojnë as me emocione, as me eufori.Ahmeti në profilin e tij në Fejsbuk ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha partitë politike me përjashtim të atyre që e mohojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe të ardhmen euroatlantike të vendit me qëllim menaxhimin e gjendjes së krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.
“Gjendjen e krijuar me dorëheqjen e kryeministrit jemi duke e menaxhuar nëpërmjet kontaktit intensiv më të gjitha palët, me përjashtim të atyre që e mohojnë Marrëveshjen e Ohrit, Prespës, fqinjësisë së mirë, NATO-n, BE-në, Republikën e Kosovës dhe gjuhën shqipe. Gjithashtu, për zhvillimet aktuale jam në kontakt dhe koordinim me partnerët tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori”, ka shkruar Ahmeti.
Besa ishte në zgjedhje së bashku me LSDM-në dhe partitë e tjera politike, ata deputetë katër tani a janë potencial i Besës ose jo, këtë nuk mund ta vlerësojë askush. Edhe unë më parë kisha qëndrim rreth transferit të deputetëve. Partitë që kanë qenë me ne në zgjedhje mund ta ndryshojnë anën më lehtë, megjithatë partitë që kemi qenë bashkë mendoj se, ky transfer të pranohet nga njëra anë, nuk është morale dhe për mua kjo është e papranueshme. Këtë e theksoi sonte lideri i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov duke e komentuar bashkimin e Lëvizjes Besa ndaj shumicës së re parlamentare me VMRO-DPMNE-në, Aleancën për Shqiptarët, Të Majtën dhe Alternativën.
Ai në pjesëmarrjen në TV21 tha se megjithatë vendimi është i partisë.
“Kam një rezervë që Besa po i bashkohet plotësisht shumicës së re parlamentare, sepse ka lider Bilall Kasamin, a e kontrollon situatën, mendoj se është një person jashtëzakonisht i qëndrueshëm dhe nga Besa nuk priten përmbysje të tilla. Por në skenën politike gjithçka është e mundur. Nesër ndoshta do të kemi informacione të reja shtesë, ndoshta me rigrupime të reja mund të rritet kjo shumicë e re parlamentare, por të mbetet nën 60 deputetë”, tha Trajanov.
Shtoi se të gjitha opsionet dhe mundësitë janë të hapura, por në fund, siç tha, e gjithë kjo reflektohet në gjendjet e përgjithshme të biznesit, ekonomisë, në masat rreth pandemisë ndërsa gjithashtu do të ndikojë në proceset eurointegruese.
Pas rrethit të dytë të Zgjedhjeve lokale të dielën më 31 tetor kryeministri dhe lider i LSDM-së Zoran Zaev paralajmëroi dorëheqje nga të dy funksionet, por deri mbrëmë ajo formalisht nuk është parashtruar në Kuvend dhe në parti.Paraprakisht, para kumtimit të informatës për shumicë të re qeveritare nga LSDM, përmes kumtesës informuan se në takim të kryesisë së partisë ishin konfirmuar hapat e ardhshëm të partisë që do të efektohen nga java e ardhshme. Në pajtim me dispozitat statutare, me dorëheqjen e Zaevit në vendin e liderit të partisë, në dorëheqje është edhe e tërë kryesia e LSDM-së.“Së bashku me kryetarin Zoran Zaev, kryesia partiake punon në zgjidhje dhe vendime me të cilat LSDM riorganizohet me qëllimin e vetëm të vazhdojë t’i shërbejë popullit në nivelin më të lartë të mundshëm dhe gjithsesi të jetë parti kryesore në shumicën parlamentare e cila e mirëmban kursin reformues dhe progresiv të vendit”, theksoi LSDM në kumtesën, në të cilën gjithashtu informohet edhe se bisedojnë me të gjithë partnerët e koalicionit, të cilët konfirmuan se shumica në Kuvend është stabile dhe i shprehën mbështetje Qeverisë nga kjo shumicë parlamentare. Ndërkohë, dorëheqjet në funksionet partiake përmes Fejsbukut i kumtuan Goran Sugarevski, kryetar dhe anëtar i Këshillit mbikëqyrës të LSDM-së dhe Milla Carovska, nënkryetare e partisë dhe ministre e Arsimit.
Çështje për mocionin e votëbesimit të Qeverisë mund të shtrojnë të paktën 20 deputetë, ndërsa votimi bëhet pas skadimit të tri ditëve nga shtrimi i çështjes për votëbesimin, parashihet në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Qeveria dhe çdo anëtar i saj, për punën e tyre përgjigjen para Kuvendit. Kuvendi mund t’i votojë mocion të votëbesimit Qeverisë. Çështje për besimin e Qeverisë mund të shtrojnë të paktën 20 deputetë. Mocioni për votëbesimin e Qeverisë bëhet pas skadimit të tre ditëve nga shtrimi i çështjes për besim”, thuhet në nenin 92 të Kushtetutës së RMV-së.
Vendimi për mocionin e votëbesimit të Qeverisë sillet me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Nëse Qeverisë i votohet mosbesim, Qeveria është e obliguar të japë dorëheqje, parasheh Kushtetuta.
Në nenin e njëjtë 92 thuhet edhe se çështja e sërishme për votëbesimin e Qeverisë nuk mund të shtrohet para skadimit të 90 ditëve nga votimi i fundit për besim, përveç nëse çështjen për besimin e shtron shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Në nenin 93 të Kushtetutës, midis tjerash, parashihet se Qeverisë së cilës i është votuar mosbesim, e cila ka dhënë dorëheqje ose të cilës mandati i është ndërprerë për shkak të shpërndarjes të Kuvendit, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
















