Lajme
Sigurimi në QTQ përpiqet të largojë gazetarët, pronarët e dyqaneve kërkojnë hetim për rastin e kriptomonedhave!

Natën kur në bodrumet e Qendrës Tregtare të Shkupit gazetarët zbuluan se gjenden qindra aparate për prodhimin e kriptomonedhave, nuk kishte asnjë sigurim, por vetëm gazetarët.
Sot kur pronarët e dyqaneve u mblodhën për të diskutuar hallin e tyre për faturat e larta të rrymës, sigurimi i QTQ u mundua t’i largojë gazetarët.
Me kërkesë paraprake për të xhiruar, kjo tjetra nuk mundet, atje brenda në dyqan nëse doni bëjeni, këtu jo.
-Unë i kam mbledhur, mos u sillni si ndonjë sherif nuk të frikësohem, mos u sill ashtu me mua.
Pas gjithë këtij tensioni, përfaqësuesi i dyqanxhinjve tregoi për arsyen e mbledhjes dhe kërkesave të tyre. Kërkojnë nga institucionet që seriozisht të merren me rastin.
“Këtu jemi mbledhur për të shprehur revoltën tonë ndaj insitucioneve dhe sistemit ku në mënyrë të pa mjaftueshme po veprojnë dhe nuk po e marrin seriozisht punën që të hulumtojnë meqenëse gazetarët kanë publikuar informacione serioze ku tregojnë thyrje të mundshme të ligjit”, tha Nikushevski.
TV21 para dy ditësh kërkoi përgjigje nga Ministria e Brendshme se si zyrtarët policor e konstatuan që këtu nuk është vjedhur rryma elektrike dhe pse nuk ndërmorën masa për të parë se çfarë ka brenda magazinave.
“Për arsye se nuk është pranuar kallëzim për vjedhje të energjisë elektrike nga distributori i të njëjtës, as nga Qendra Tregtare e Qytetit, si dhe nga arsyet se në rastin e përmendur, as në vend e as pas bisedave të zhvilluara me palët e prekura nuk është konstatuar ekzistim i veprës penale, si dhe për arsye se veprimet e prodhimit të kriptovalutave nuk përbëjnë veprime që përfshihen në vepra penale apo kundërvajtje, nuk ka bazë për ndërmarrjen e aktiviteteve shtesë nga ana e policisë ose duke vepruar sipas nenit 282 të Kodit të Procedurës Penale”, thanë nga MPB.
Para tre ditësh policia shkoi në bodrumin e QTQ-së, ku dyshohej për aparatet për prodhim të kriptovalutave me vjedhje të rrymës. Më pas u larguan, pa ndërmarrë ndonjë veprim, ndërsa nga MPB thanë se përveç që nuk është konstatuar vjedhje e rrymës, “nuk janë lokalizuar as kompjuterë për prodhimin e kriptovalutave”. Por kur gazetarët shkuan në bodrumin e Qendrës tregtare, përmes pamjeve raportuan për qindra aparate për prodhimin e kriptomonedhave të vendosura aty.
















