Lajme
Zaev i hutuar, flet për herë të parë pas iniciativës për shkarkimin e Qeverisë

Vjen reagimi i parë zyrtar i kryeministrit Zoran Zaev në Shkup, ndaj mocionit të mosbesimit të paraqitur nga partitë opozitare, VMRO-DPMNE nacionaliste, të hënën pasdite.
Pikërisht një javë pas njoftimit të dorëheqjes së tij nga shefi i qeverisë, por edhe i Partisë Socialdemokrate (LSDM), për shkak të humbjes së madhe në zgjedhjet e fundit komunale, Zaevi në një deklaratë në rrjetet sociale ndërhyri duke thënë se, Mickoski, Apasiev dhe Gruevski nuk do të kthehen për të sunduar vendin.
“Këto ditë jemi dëshmitarë të kërcënimit për Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, një shoqëri të përbashkët dhe të barabartë, paqe civile në vend dhe marrëdhënie të mira me fqinjët tanë”, tha ai. Në deklaratën e tij, Zaev theksoi se bota demokratike dhe partitë: “Nuk do të lejojnë që Mickoski, Apasiev dhe Gruevski të marrin pushtetin dhe të shkatërrojnë vendin përsëri”.
Me këtë deklaratë Zaevi po tenton të mobilizojë reflekset e deputetëve shqiptarë, pasi partia e vogël e majtë “Levica” (Majtas) e Dimitar Apasiev është një leckë “e kuqe” për shqiptarët, për shkak të qëndrimeve të tij ekstreme.
Mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Zaev, sot në ora 14:30, VMRO-DPMNE ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit të Shkupit, Talat Xhaferi.
Të dielën, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, i kishte kërkuar Zaevit dorëheqje nga Qeveria, në të kundërtën do të kishte bërë mocion mosbesimi, siç bëri në fund.
















