Lajme
Presidenti polak Andzhej Duda mbërrin në Shkup

Presidenti polak Andzhej Duda sonte mbërriti për vizitë dyditore zyrtare në vend, në kuadër të së cilës do të realizojë takim me nikoqirin e tij, shefin e shtetit Stevo Pendarovski, ndërsa është paraparë të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi si dhe me kryeministrin, Zoran Zaev.
Presidenti Duda në Aeroportin në Shkup u prit nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
“Mirëseardhje në Maqedoninë e Veriut për presidentin e Republikës së Polonisë, Andzhej Duda. Kjo vizitë paraqet dëshmi për miqësinë tradicionale midis Maqedonisë së Veriut dhe Polonisë e cila para ca kohësh është fuqizuar edhe më shumë me partneritetin tonë në NATO. Në veçanti e vlerësojmë mbështetjen e sinqertë për eurointegrimet e vendit tonë, përmes së cilës fuqizojmë lidhjet tona miqësore”, shkroi Osmani në profilin e tij në Fejsbuk pas pritjes së Dudas.
Duda nesër do të pritet me nderime më të larta shtetërore nga presidenti Pendarovski në Vilën Vodno, ku do të mbahet tet-a-tet takim, pas çka do të vijojnë biseda plenare të delegacioneve të të dy vendeve.
Duda dhe Pendarovski të njëjtën ditë do të mbajnë fjalim edhe në hapjen e Forumit ekonomik Poloni-Maqedoni e Veriut, që do të mbahet në hotelin Meriot në Shkup.
Dy presidentët do të vendosin kurorë lulesh në varrin e Goce Dellçevit në kishën “Shën Spasi”.

















