Connect with us

Lajme

Liderët politikë në Maqedoni urojnë 28 nëntorin

Publikuar

Festën e 28 Nëntorit nëpërmjet mesazheve në rrjete sociale e kanë uruar edhe liderët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

“109 vjetori i ditës së flamurit dhe i pavarësisë na gjen më të arrirë, më të bashkuar dhe më pranë njëri tjetrit.

Kombi sot duhet, nderohet dhe bashkohet me vepra.

Unazën e lidhjes së kombit po e rrumbullakësojmë me Korridorin 8 dhe lidhjen me Bllacën e Qafë Thanën me autostradë, ndërsa projekti i rradhës është edhe lidhja energjetike dhe hekurudhore me Shqipërine si dhe thjeshtëzimi maksimal i kalimit të kufirit me Shqipërinë e Kosovën, bashkë me shumë projekte të tjera ku bën pjesë edhe rruga e Arbërit nga Burimi deri tek ura e Boshkut, e cila tashmë ka filluar të ndërtohet.

Nëntorët tanë të lavdisë, të Skenderbeut, të Ismail Qemalit, Isa Boletinit e Adem Jasharit na bashkojnë rreth flamurit dhe qëllimit të bashkimit.

Uroj të gjithë shqiptarët anembanë rruzullit tokësor për festën më të madhe kombëtare shqiptare, GËZUAR”, ka shkruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Qoftë i fundit ky nëntor i mbushur plot me dhimbje, lot, trishtim e pikëllim. Të gjejmë forcën që së bashku të nxjerrim mësim, të reflektojmë dhe të ringrihemi për tu bërë më të fortë se kurrë.

Të kujtojmë të kaluarën e lavdishme, të mbrojmë dhe të punojmë për të ardhmen. Të ruajmë ndjenjën e përgjegjësisë duke hapëruar drejt sfidave të reja, që të shohim veten tonë më të ndritur, më të ngritur, më të lirë e të barabartë.

Gëzuar dhe për shumë mot festa e Flamurit”, shkruan kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

“Urime 28 Nëntori – Dita e flamurit, me dëshirë të sinqertë për suksese dhe prosperitet të pafund për shqiptarët kudo që të jenë”, shkruan në Facebook, kryeparlamentari Talat Xhaferi.

“28 Nëntori i Flamurit dhe 28 Nëntori i ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari janë pikëpjekja e koincidenca që përsëritet për t’i rikthyer kujtimet se shqiponja dykrenore mund të valojë e lirë vetëm nëse ka bij që janë në gjendje ta japin jetën për të.

Qoftë i bekuar Flamuri Kuq e Zi dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për Adem Jasharin si Flamur i Lirisë”, ka shkruar kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

“Në këtë ditë të madhe përkujtojmë të gjithë ata që nuk kursyen asgjë për flamur e për atdhe. Përkulemi para veprave të tyre, nga Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Adem Jashari, duke ruajtur me krenari flamurin që ata na e lanë përjetë. Ta gëzojmë e ta ruajmë sa të jetë jeta. Gëzuar Festa e Pavarësisë – Dita e Flamurit tone”, thekson kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

 

NA NDIQ NË FACEBOOK