Connect with us

Kosovë

Ja kush ishin mirditorët në radhët e UÇK-së që u kthyen në ‘makthin’ e ushtrisë serbe në luftën e Kosovës

Published

on

Në luftën e fundit për pavarësi të shqiptarëve, atë në Kosovë, mirditasit nuk kursen asgjë në shërbim të kauzës për çlirim dhe shumë prej djemve të familjeve të fisme mirditore dhanë jetën për liri krah vëllezërve të tyre nga mbarë trojet shqiptare.

Markalleshët e Shebes së Mirditës qëndrojnë krenarë në altarin e lirisë së Kosovës. Kur kulla e tyre në Vraniq të Gjakovës u rrethua nga Milicia dhe ushtria serbe në 7 gusht të 1998, Marku plak nuk u ligsht, urdhëroi djemtë e tij të marrin armët gati dhe të luftojnë për të mbrojtur kullën. Lufta në kushte të pabarabarta ka zgjatur për orë të tëra, jehona e kësaj beteje ngriti në këmbë rajonin e Dukagjinit. Në këtë betejë ranë heroikisht katër djemtë e familjes Markalleshi. Marku, Preni, Kola dhe Mema në lule të rinisë e paguan me jetë çmimin e rëndë të lirisë.
Kol Mirdita, familja e të cilit nga Mirdita ishte vendosur në Ranoc të Lugut të Drinit, eci në gjurmët e paraardhësve të tij, të cilët luftuan ushtritë serbe në krah të forcave të Ndue Përlleshit.

Kol Mirdita ishte ndër të parët që u radhit në radhët e UÇK-së, ndërkohë bashkë me djem të tjerë të Ranocit luftoi në zona të ndryshme të Kosovës kundër okupatorit serb. Kol Ndrec Mirdita u vra në luftime me forcat serbe mbrëmjen e 9 korrikut 1998, duke kaluar në altarin lirisë.

Ndërkohë djemtë e tjerë mirditorë të Lugut Drinit që u rreshtuan të parët në radhët e UÇK-së krah vëllezërve të tyre gjakovarë nën Brigadën 112 dhe formacione të tjera ushtarake janë Pjetër Gjergjaj, Simon Rrapi, Leonard Gjergjaj, Martin Selitaj, Gjergj Mirdita, Pal Zef Mirdita, Agron Jaku, Kolë Zymi, Pashk Zymi, Gjergj Simoni, Filip Simoni, Pashk Kola, Pjetër Tanushi, Zef Përnokaj, Gjon Përnokaj, Gaspër Lazri, Albert Lazri, Ndue Ndreca, Gjokë Selmani, Anton Selmani, Nik Ndreca, Arben Kabashi, Bekim Quni, Pashk Palushaj dhe Nikë Frroku.
Pal Paluca i Mirditës së Prizrenit në vitet kur okupatori serb pushton Kosovën dhe nis masakrat ndaj popullsisë civile lë Gjermaninë dhe vendos të kthehet në Dardani ku rreshtohet në radhët e UÇK-së, fillimisht në Trapeticë të Velezhës së Prizrenit dhe më pas në mbarë Kosovën.

Pal Mark Paluca luftoi krah Fehmi e Xhevë Lladrovcit. Në 5 maj të 1999 në një betejë të ashpër dhe të pabarabartë me milicinë serbe ai u shua për të mos vdekur kurrë, teksa trupi i tij prehet pranë bashkëluftëtarëve, Remzi Ademaj dhe Tahir Sinani.

Edhe dy kushërinjtë e Pal Palucës, Leonard Paluca dhe Agron Paluca ranë dëshmorë duke luftuar heroikisht për lirinë e Dardanisë. Dy ndër strategët e betejës së Koshares, që i shkaktoi disfatën më të rëndë ushtrisë serbe në luftën e Kosovës janë mirditore, si Agim Ramadani, që njihej me emrin Katana, familja e të cilit është zhvendosur në Kosovë nga Kaçinari i Mirditës, ashtu edhe Komandanti tjetër, Anton Çuni, familja e të cilit u vendos në Prizren nga Selita e Mirditës.

Ndër djemtë mirditorë që morën pjesë aktive në luftime në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishin pjese e betejës së Kosharës nën Brigadën 138 Agim Ramadani, janë Luigj Nikolla Paluca, Marjan Pren Marku, Mark Pashk Coli, Robert Mikel Gjergji, Tom Nikoll Gjergji, Anton Mëhill Lleshi dhe shumë të tjerë djem mirditas të Prizrenit.

Ndërkohë shumë djem mirditas që jetonin në Amerikë u bënë pjesë e batalionit Atlantiku dhe zbarkuan në Kosovë, duke u rreshtuar në radhët e çlirimtarëve.Krahina e Mirditës, krahas Tropojës, Hasit, Kukësit dhe Pukës gjithashtu ka qenë një ndër bazat kryesore në veri të vendit të furnizimit me armë dhe municione të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe trajnimin e efektivëve te saj.

Këta bij Mirdite kanë ecur në gjurmët e lavdishme të paraardhësve të tyre që u flijuan për Kosovë, si Zef Kol Ndoka, Pjetër Çeli, Zef Gjidoda që u kthyen në tmerrin e xhandarmërisë serbe në vitet 1920-1930.

Betejën kundër Serbisë e vijuan denjësisht Ndue Përlleshi e Ndrec Nikolla me të tjerë mirditas që luftuan krah Shaban Polluzhës kundër komunistëve sllavë. Ndërkohë nuk duhet harruar kontributi i paçmuar i Anton Çetës, birit të Mirditës që mori përsipër misionin e shenjtë të pajtimit të gjaqeve në Dardani dhe Shqipërinë e Epërme./ Përgatiti Elkier Bushkolaj-Syri.net

NA NDIQ NË FACEBOOK

Click Here To Join Native Media
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com