SKENA
Donald Veshaj heq dorë papritur nga Bora Zemani: Kemi 8 muaj

Kush nuk e kujton pajtimin e Bora Zemanit dhe Donald Veshajt, pak javë më parë brenda në shtëpi ku u puthën dhe treguan dashurinë e madhe që kishin për njëri-tjetrin.
Pas përqafimit, Donaldi i bëri dhuratë partneres së tij me rastin e 3-vjetorit të lidhjes së tyre një varëse dhe ëmblësira. Ky ishte një gjest tjetër që u komentua dhe pëlqye pafund nga ndjekësit. Por pas kaq shumë ditësh qëndrimi në “Big Brother”, Donaldi i ka habitur të gjithë me deklaratën e tij.
Ai është lodhur nga etiketimet e shpeshta si partneri i Borës dhe ka vendosur të flasë hapur dhe i revoltuar. Në një debat me Meridianin, Donaldi ka treguar se është single dhe jo në një lidhje me Borën.
‘’Unë nuk jam i askujt, boll më me etiketime se nuk jam ‘njeriu i Borës’, në lojë kam hyrë vetëm dhe pa sqaruar shumë gjëra nuk mund të them që jam në një lidhje’’, tha ai. Këtë gjë e aprovuan edhe dy konkurentët e rinj, Meridiani dhe Antonela, të cilët këmbëngulën se publiku është ende i paqartë për marrëdhënien që kanë ata të dy.
“Duhet ta qartësosh këtë gjë, në publik po të njohin si Donaldi i Borës dhe kjo gjë po e penalizon lojën tënde. Thuaje njëherë e mirë dhe të qartësosh këtë gjë’’, thanë ata. Por reagimin më të fortë për këtë deklaratë e dha Semi, shoqe e ngushtë e Bora Zemanit, prej 15 vitesh.
“Nëse je single, pse e puthe atë natë? Keq bëre që e puthe. Tentove ta puthje, e puthe e pastaj thua jam single”, tha Semi e acaruar.
“Kam 8 muaj që jam i ndarë. Nuk je në kokën time”, ia ktheu Donaldi gjatë diskutimit. Ndërsa Semi vazhdoi t’i kërkojë që të bëjë kujdes me deklaratat sepse ajo është person publik.
Por Donaldi vazhdon të jetë i vendosur që deri në momentin kur ai do sqarohet jashtë shtëpisë e konsideron veten vetëm. Por pas kësaj deklarate nuk ka qëndruar në heshtje as Bora Zemani kësaj here. Ndryshe nga Semi, Bora Zemani nuk është aspak e shqetësuar nga deklarata e Donald Veshaj në lidhje me raportin e tyre.
Pak ditë më parë, Donaldi, pas puthjes së famshme me Borën në “Big Brother VIP” dhe varëses përtej murit, deklaroi se është vetëm, pra jo në një lidhje, deklaratë të cilën e shpjegoi me faktin që ka shumë gjëra pa zgjidhur në raportin e tyre që do t’i sqarojë kur të dalë. Megjithatë fjalia nuk u prit mirë nga Semi, shoqja e ngushtë e Borës.
“Sot më është mbushur Instagrami plot për të. Unë e dua shumë, ju e keni kuptuar sa e dua unë Semin dhe e njoh shumë mirë, ndryshe nuk do ishte pjesë e jetës sime për kaq shumë vite. Mendoj që gjërat që e kanë ruajtur marrëdhënien tonë kanë qenë disa. E para, besimi sepse ne vëmë dorë në zjarr për njëra-tjetrën, kaq mirë e njohim njëra-tjetrën. E dyta protektiviteti. Është diçka që disa të tjerë e konsiderojnë si diçka të keqe, por unë mendoj se është diçka që e ka ruajtur miqësinë tonë sepse jemi protektive ndaj njëra-tjetrës”, shprehet Bora në “Instagram”.
“Tjetra është fakti që e pranojmë njëra-tjetrën ashtu siç jemi, pa u munduar ta ndryshojmë. Unë Semin e kam pranuar siç është. Ndonjëherë flet më shumë seç duhet. Ndonjëherë bën gallata më shumë seç duhet, të përqafon më shumë seç duhet, ndonjëherë të mbron më shumë seç duhet. Kjo nuk ka asgjë të keqe. Nuk shoh asnjë gjë të keqe, sidomos kur gjërat nuk bëhen me qëllim negativ, përkundrazi. Sot jam e lumtur dhe krenare që më është mbushur Instagrami me vajza që më shkruajnë se do të donin një shoqe si Semi”, shtoi ajo.
Në lidhje me deklaratën e Donaldit, Bora tha: “Sa i përket situatës tjetër, ju e dini qëndrimin tim pavarësisht provokimeve që mund të bëhen se ndoshta po mbahet ndonjë një qëndrim tjetër. Ku i dihet. Ku e dimë ne se çfarë ndodh jashtë!”.
Ajo mban ende varësen e Donaldit dhe e tregon nga kamera, që do të thotë se presin që të flasin për lidhjen e tyre pasi të përfundojë “Big Brother VIP”. Gjatë spektaklit live, Donaldi tha se nuk mund ta konsiderojë veten të lidhur kur ka 8 muaj i ndarë nga Bora. Në lidhje me arsyen që i çoi në ndarje, ai la shumë vend për nënkuptime.
















