Lajme
“Do të të vras”, sherr dhe kërcënime mes kr/infermierit dhe doktorit në ambientet e Traumës

Nga Boldnews.al
Një konflikt fizik ka ndodhur sot (17 nëntor 2021) në ambientet e brendshme të Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë. Doktori ortoped Julian Ruçi ka qëlluar dhe kërcënuar kryeinfermierin Oliver Kaciqi.
Boldnews.al ka siguruar një procesverbal të pavijonit nr.1, ku kryeinfermieri ka lajmëruar shefat dhe Drejtorinë e Spitalit Universitar të Traumës. Nga ngjarja e rëndë që nisi mes bluzave të bardha, janë cënuar edhe pacientët e katit të parë të këtij pavijoni.
Referuar procesverbalit, kryeinfermieri shkruan se doktori Ruçi e ka qëlluar disa herë në kokë dhe kërcënuar me jetë. “Do të të vras”, kanë qenë fjalët e tij drejtuar Kaciqit, ndërkohë që ankesë në drejtorinë e SUT ka bërë edhe Ruçi.

“Sot më datë 17.11.2021, në orën 09.20, në bazë të rregullores së Ministrisë së Shëndetësisë, dhe drejtorisë së SUT, një person pa maskë qendron në korridorin e pavijonit të ortopedinë në katin nr.1.
Unë kryeinfermieri Oliver Kaciqi, i kërkoj të pajiset me maskë dhe e pyes se me çfarë mund ta ndihmoj. Ndërkohë afrohet dr.Julian Ruçi mjek ortoped në pavijonon nr.2.
Doktori i thotë këtij personi ta presë aty ku është, pra në korridor. Dua të theksoj se dr.Julian Ruçi ka emrin në një dhomë mjekësh ku unë jam kryeinfermier. Ai i thotë ta presë aty deri sa ai të kthehet.
I kërkoj sërish zotërisë që mund ta presë jashtë pavijonit, pasi nuk lejohet qendrimi në koridor, për më tepër pa maskë dhe pa rekomandim për kryerjen e vizitës apo konsultës, pasi personi ishte me grafi në dorë.
Në këto momente më hidhet sipër doktor Julian Ruçi, më shan, më kap prej rrobash më gjuan në nofull dhe më thotë që ai personi do e priste këtu në korridor në pavijon dhe se unë nuk e kisha të gjatë, sipas mjekut Julian Ruçi. Më kërcënoi me jetë. Ndërkohë që edhe një infermiere që ka ardhur së fundmi, Suzana Demetja, e ndodhur aty i thotë Julian Ruçit, shumë mirë ia bërë, ashtu e do ky!”, thuhet në procesverbal.


Ndërkohë, Boldnews.al ka mësuar se edhe dr.Julian Ruçi ka bërë ankesë në drejtorinë e SUT. Për etikë gazetareske, ne e ftojmë z.Ruçi që të kontaktojë me redaksinë dhe të japë versionin e tij.
Gjithsesi, në pritje të kësaj përgjigje, Boldnews.al disponon dy shkresa, më e fundit para dy javësh që ndalojnë qëndrimin e familjarëve apo pacientëve në korridoret e spitalit.
Me këto fakte, gjithkush mund të japë opinionin e vet. Por, më e rënda në këtë mes është se ngjarja e rëndë ka ndodhur brenda një institucioni shëndetësor, atje ku duhet të marrin shërbim qytetarët, të cilëve prej vitesh iu premtua shëndetësia falas, dhe jo të skena me sherre dhe përleshje.





















