Connect with us

Lajme

Detajet/ Abuzoi me detyrën e futi në sherr qytetarët, ja pse u arrestua Shefi i Urbanistikës Vlorë

Publikuar

Nga Boldnews.al

Një incident i dhunshëm midis dy biznesmenëve kufitarë në një pallat në Vlorë zbuloi abuzimin me detyrën të Përgjegjësit të Zyrës së Urbanistikës në bashkinë e qytetit, Rubin Hekurani dhe vartësit të tij, Klaudi Mehmetaj, të arrestuar të Martën me urdhër të Prokurorisë.

Shtetasi Oltion Rexho kishte dorëzuar dy kallëzime në Policinë e Vlorës, në Prill dhe Maj 2021, pasi po pengohej të ushtronte aktivitetin tregtar nga Niko Klaus, i cili kishte zgjeruar biznesin me një ndërtim të paligjshëm.

Në Prill 2021, Rexho kishte kërkuar sqarime nga Niko Klaus, por ishte gjendur nën dhunën fizike. I dëmtuari iu drejtua Policisë, ku kallëzonte dhunimin, si edhe faktin e ndërtimit të paligjshëm.

Në foto: Pjesë nga dokumenti hetimor për arrestimin e zyrtarëve të Urbanistikës, Vlorë

Prokuroria e Vlorës nisi hetimin dhe konstatoi se shtetasi Niko Klaus kishte ndërtuar një pedanë, me konstruksion metalik, me përmasa 18m gjatësi, 4 metra gjërësi dhe 50 cm e lartë, pa leje nga institucionet përkatëse.

Për këtë ndërtim, Policia Gjyqësore kishte vënë në dijeni Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë së Vlorë, e cila nga ana e saj kishte marrë vendim për gjobitjen e Niko Klausit dhe prishjen e objektit të paligjshëm.

Megjithatë, këto vendime nuk u ekzekutuan nga inspektorët ndërtimorë.

Biznesmeni Niko Klaus pretendonte se ndërtimi ishte kryer me lejen e Bashkisë.

Në fakt, nga verifikimet e kryera prej Prokurorisë së Vlorës, rezultoi se Klausi ishte pajisur me një “Deklaratë paraprake punimesh”, e cila ishte tërësisht në kundërshtim me ligjin.

Në këtë konkluzion arriti edhe Gjykatës Administrative e Vlorës, e cila shqyrtoi më herët një padi për dokumentat e hartuar nga Bashkia për këtë rast.

Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Vlorës zbuloi se deklaratat paraprake e punimeve, e lëshuar në kundërshtim me ligjin, është hartuar dhe miratuar nga Përgjegjësi i Urbanistikës, Rubin Hekurani dhe inspektori Klaudi Mehmetaj.

Të dy zyrtarët publikë u arrestuan nën dyshimin për “Shpërdorim detyre”, ndërsa shtetasi Niko Klaus u prangos për ‘Ndërtim të paligjshëm”.

Ndërkohë, po me urdhër të Prokurorisë së Vlorës, u vendos nën sekuestro edhe ndërtimi i paligjshëm, i cili u shndërrua në një shkëndijë konflikti mes biznesmenëve.

NA NDIQ NË FACEBOOK