Lajme
Debati për mbledhjen e Kuvendit të PD/ Strazimiri, Noka e Ristani: Firmat verifikohen nga vetë Kuvendi në nisje të tij

Deputeti Flamur Noka, ish-deputetët Gent Strazimiri dhe Arben Ristani kanë dalë në një konferencë për gazetarët jashtë selisë së PD-së, pas deklaratave të Lulzim Bashës dhe Gazmend Bardhit lidhur me mbledhjen e Kuvendit të PD-së.
Ndryshe nga sa deklaroi Bardhi dhe Basha se firmat për mbledhjen e Kuvendit duhet të depozitohen te Sekretari i PD-së, deputetët Noka, Strazimiri dhe Ristani thanë se ato verifikohen në nisje të Kuvendit nga vetë ky institucion.
Duke folur për gazetarët, Gent Strazimiri u shpreh se Kuvendi Kombëtar i PD-së është organi më i lartë i PD-së dhe vetëverifikohet.
“Kuvendi i PD është organi më i lartë statutor në parti. Sipas të gjitha rasteve, vetë Kuvendi vetëverifikohet. Në asnjë rast, askush nuk verifikohet dot nga organe apo individë që rrjedhin prej tyre. Kështu do të ndodhë edhe në 11 dhjetor, ku do të krijohet një komision dhe do të verifikojë anëtarët. Për efekt për transparencës u dorëzuan 4200 firmat e anëtarëve të Kuvendit. Firmat u dorëzuan tek kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Kush të dojë, kush ka dëshirë mund të shkojë dhe të shikojë firmat, por jo ti verifikojë’, tha gjatë fjalës së tij ish-deputeti demokrat Gent Strazimiri.
Flamur Noka u shpreh se ditën e sotme pritet të dorëzohen edhe 150 firma të tjera që kërkojnë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, pas vendimit të Bashës që e përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar demokrat. Ai e akuzoi Bashën si peng të Ramës dhe tha se i ka shërbyer kryeministrit gjatë këtyre tetë viteve qeverisje.
“Mbrëmë janë dorëzuar 4200 firma, sot po vijojnë të tjerat dhe të jeni të sigurt që shifra do ta kalojë 5000. Është një vullnet absolut për ta çliruar PD-në. Sekretari i Përgjithshëm është mëkëmbësi i tij dhe është palë. Kuvendi do të vetëmblidhet, e parashikon statuti. Në demokraci mos prisni që shumica të paraqitet në rresht te pakica”, tha Noka.
Ish-Sekretari i Përgjithëm i PD, Arben Ristani u shpreh se Partia Demokratike është shumica e demokratëve.



















