Lajme
Azem Sadiki vs Menduh Thaçi

Azem Sadiki sot kaloi në Aleancën për Shqiptarët. Kjo lëvizje politike në fakt sigurisht që përbën lajm, edhe kryelajm madje, por ky veprim i Azemit asesi nuk duhet të llogaritet si ndonjë akrobaci anormale politike.
Fundja, Azemi edhe në ASH është në shtëpi të vet, te kolegu i partisë së tij, Ziadini, te ai me të cilin bashkërisht , që në 2013 ishin të vetmit që fituan për PDSh-në , komunat ku garonin Strugën dhe Studeniçanin. Ishte kjo fitore e tyre në atë kohë , ajo që u dha shpresa të mëdha anëtarëve të PDSH-së , se megjithatë ndryshimi është i mundur. Por nuk ishte aq lehtë ndryshimi i shumëpritur, kjo as për faj të Ziadinit, e as për faj të Azemit. Edhe pse do të mundohen që këtë veprim politik të Azemit ta shesin si jonormal para atyre anëtarëve që i kanë mbetur PDSh-së , në këtë mesele, jonormale sot, dje dhe përherë, janë sjelljet e çakorduara të Menduh Thaçit! Votuesit e PDSh-së nuk harrojnë aq lehtë sa çdo dëshironte kreu i parties së tyre.
Menduh Thaçi, në vend që në vitin 2013 të bëhej gati ta dërgojë në histori BDI-në, me një sjellje prej të marri, bëri çmos që ta mundë Rufi Osmanin në Gostivar. Pas fitores në Strugë më pas, menjëherë pas zgjedhjeve lokale, largon nga partia Ziadin Selën, fituesin , e madje dhe bën kërdi në kampanjën e zgjedhjeve parlamentare duke sharë vend e pavend familjarët e të ndjerit Arbën Xhaferi! Këto veprime i mbajnë mend anëtarët dhe votuesit e PDSh-së sepse këto ishin momentet kyçe të fillimit të rrënimit të PDSh-së, me veprime që sa vinin bëheshin më të pakuptueshme dhe më jonormale! Nga ky moment, shumë figura të pastërta në parti, heshturazi e dalëngadalë, filluan të largohen.
Një pjesë mbeti, për hir të anëtarëve, mbetën edhe njerëz kristal të pastër që ende mbanin shpresë se gjërat do të rregullohen dhe se partia dhe Menduh Thaçi do të përmirësohet e do të mësojë nga gabimet. Por, kjo nuk ndodhte. Jo vetëm që s’kishte përmirësim, po me plasjen e aferës së të a.q “bomba”, situata u rëndua edhe më shumë dhe Menduh Thaçi u gjend në mes të shumë skandaleve. Edhe përkundër kësaj, anëtarësia vazhdoi të luftojë fort në mbrojtje të diçkaje të pamundur të mbrohet më, sepse kreu i PDSh-së, me çdo gjë që bënte, fundosej edhe më tepër.
Sërisht anëtarët besnikë e zemërpastër, shpresonin se ndoshta një ditë do bëhej mirë. Kjo shpresë i mbajti me moral të lartë edhe në situata të pashpresa. Ishte Azem Sadiku ai që fitoi përsëri zgjedhjet lokale në 2017-ën, i vetëm edhe atëhere, me lojra që i bëheshin pas shpine edhe atëherë. Menduh Thaçi ka dashur ta shesë Azemin, edhe në 2017 , duke ia ofruar komunën e Studeniçanit, Besës, me të cilën dëshironte të bënte koalicion. Azemi heshti, madje për hir të partisë, ai ishte i gatshëm ta sakrifikojë edhe postin.
Nga kjo periudhë, filloi mëria e Menduh Thaçit ndaj Azem Sadikut. Në fakt, Menduh Tahçi i urren të gjithë njerëzit e sukesshëm. Ai ndihet i kompleksuar kur rrethohet nga njerëz të suksesshëm. Ai për rreth vetes dëshiron të rrije me njerëz që e masin “me hijen e sabahit “ dhe ia “lyejnë kryet me akull” duke i thënë se sa “lider” i madh është. Azemi vazhdoi të punojw pa ndal, duke sakrifikuar gjithçka nga vetja që ta ringriste partinë. Në çdo tubim, në çdo takim që bëhej, mbi gjysma e atyre që mbushnin sallat e sheshet, ishin njerëzit e Azemit.
Azemi mbeti në PDSh edhe kur të gjithë figurat e tjera qëndrore të saj u larguan. Mbeti gjenerali i fundit i “udhëheqësit” të marrë , me shpresën se lideri do ta kuptonte një ditë realitetin dhe se puna do fillonte të ecë nga e mbara. Dhe kështu hyri deri në finalen e fundit, zgjedhjet lokale 2021. Azemi përsëri sakrifikoi gjithçka nga vetja që t’u ndihmoj edhe kandidatëve të tjerë të partisë të fitojnë. Rrezikoi veten për partinë. Azemit nuk ia dha votat partia dhe Thaçi . Vetëm falë punës që ka bërë, votuesit e Karshiakës, në mënyrë spektakolare, e votuan në raundin e parë duke e renditur të parin me mbi 600 vota epërsi kundrejt kandidatit të BDI-së.
Dhe si duket, ky ishte momenti, që nuk mundi ta përballojë Menduh Thaçi. Meqë pësoi kudo fiasko , e sidomos në Tetovë, xhelozia ndaj suksesit të Azemit kaloi në sëmundje dhe opsesion që nuk duhej falur. Nga këtu nisi shfaqja më e shëmtuar që njeh politika dhe që nuk mund të konceptohet nga një mendje e shëndoshë. Menduh Thaçi me veprim alogjik, jonormal, shkon dhe bën koalicion me BDI-në në të vetmen komunë ku ka ende shpresë për fitoren e vetme, duke i ngulur thikë pas shpine Azem Sadikut m’u në mes të betejës.
Azemi i tradhtuar, jo nga kushdo, por nga vetë kryetari i partisë, i lënë i vetëm në betejë përballë hienave dhe aparatit të pushtetit, me thika pas shpine sa të duash, gjeti ndihmë nga shoku i vjetër, Ziadini, me strukturat e tij në Karshiakë. Me votat që i kishte nga puna e tij dhe me këtë ndihmë shtesë kundër tradhëtisë , edhe njëherë, në mënyrën më spektakolare të mundshme, fiton komunën, por jo vetëm komunën, fiton BDI-në në pushtetin qëndror që edhe projektet e Azemit u mundua t’i shesë si të tyret, dhe më kryesorja , edhe tradhëtarin Menduh Thaçi. Prandaj veprimi i Azemit, sot është me se i drejtë dhe i kuptueshëm. Mbamendja historike shkon edhe më larg në tradhëtitë e Thaçit ndaj Azemit.
Ai ishte kryetar në fuqi i komunës në vitin 2000-2005, kur në zgjedhjet lokale të 2005-ës, Menduh Thaçi , komunën e Studeniçanit ia dha kandidatit të koalicionit të atëhershëm të PPD-së. Azemi nuk ngriti zërin por vazhdoi të punojë, duke menduar se bëhet fjalë jo për tradhëti pas shpine, por për ndonjë marrëveshje politike në favor të PDSh-së që shkon përtej komunës së Studeniçanit. Azemi e bëri për herë të parë Thaçin deputet në vitin 2002 , pikërisht në Karshiakë duke fituar, paramendoni, BDI-në në vitin 2002 madhe edhe një herë përsëri në vitin 2006. Deri atëhere Menduh Thaçi nuk fitoi dot kurrë në Tetovë nga PPD. Dyert e parlamentit Menduh Thaci i mësoi vetëm falë Azem Sadikit dhe Karshiakës.
Të atij Azemi, që në këto zgjedhje e shiti kaq lirë. Të atij Azemi që megjithatë i tregoi se njeriu që punon me nder e fytyrë të pastër, jo vetëm që do e fitojë edhe kryetarin tradhëtar të partisë së tij, por madje mund të jetë edhe pika e fundit në gotën e mbushur plot të zullumit të Thaçit, ajo pikë që do bëjë atë që se bëri dot askush, do e çojë Thaçin në histori.
















