Lajme
Zgjedhjet, Mexhiti: Nëse VMRO-DPMNE fiton shumicën, vendi mund të shkoj në zgjedhje të reja

Opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja shpalli të dielën në mbrëmje fitoren e saj në zgjedhjet lokale.
Edhe pse Komisioni qendror i zgjedhjeve nuk ka dalë ende me një rezultat, bazuar në të dhënat e publikuara në faqen zyrtare, partia e drejtuar nga Hristijan Mickovski shpalli fitoren në më shumë se 20 komuna nga 80 që janë gjithsej.
Në lidhje me zgjedhjet lokale që u zhvilluan ditën e diel në RMV, i ftuar në MCN përmes “Skype” ishte gazetari nga Maqedonia e Veriut Zekirija Mexhit.
Sipas Mexhitit nëse VMRO-DPMNE shpallet fituese në këto zgjedhje lokale, RMV mund të përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Sipas të gjitha gjasave në pjesën shqiptare, në komunat shqiptare do të kemi balotazh të nxehtë pasi qytet më të mëdha shkojnë në raund të dytë dhe në 31 tetor do të vendosin mes dy kandidatëve. Kanë qenë zgjedhje të qeta, por të shoqëruara me denoncime për mosfunksionim të aparateve biometrike. Ndërsa pos kësaj, në përgjithësi ka qenë i qetë”, tha Mexhiti
Cilat janë partitë që morën me tepër vota në 17 tetor, dhe cilat prej tyre u ndëshkuan?
Do të thoja që veçanërisht në bllokun maqedonas, partia e Zoran Zaev po humbë dhe po udhëheq VMRO-DPMNE. Ajo ka korrur fitoren në 17 komuna. Në bllokun shqiptar BDI udhëheq në Tetovë, një garë e nxehtë do të jetë në Gostivar si dhe në Strugë, Dibër. BDI ka shpallur fitoren në 3 komuna, duke fituar që në raund e parë, shtoi Mexhiti.
Pas këtij rezultati të marrë nga partia në pushtet, a mund të themi se vendi mund të futet në zgjedhjet të parakohshme parlamentare?
Sigurisht, nga dita e djeshme në bllokun politik maqedonas, dhe parti e majtë së basku me VMRO-DPMNE theksojnë se do të bëjnë një shumicë të re në Kuvend, ku sipas tyre pas këtyre zgjedhjeve do të ketë një qeveri të re. Në raundin e dytë nëse VMRO-DPMNE fiton shumicën e komunave, Maqedonia do të ketë zgjedhje të parakohshme në pranverën e ardhshme”, ka përfunduar gazetari Zekirja Mexhiti.



















