Connect with us

Lajme

Për bankat që po bëhen biznese familjare

Published

on

Nga Klodian Tomorri

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ra fort këmbanës së alarmit për atë që po ndodh me sistemin bankar në Shqipëri. FMN i tha qeverisë dhe Bankës së Shqipërise forconi mbikqyrjen dhe kuadrin rregullator sepse peisazhi i sistemit po ndryshon. Përtej kësaj, u tha autoriteteve që kontrolloni përshtatshmërinë e aksionerëve të rëndësishëm të bankave, pronarëve fundorë përfitues dhe menaxherëve të nivelit të lartë.

Por për çfarë shqetësohet FMN?

Tashmë gjysma e bankave në Shqipëri janë biznese familjare, nuk janë më pjesë e grupeve të njohura bankare. Banka Credins, Abi Bank, Union Bank, Tirana Bank, madje dhe BKT, nuk janë banka me mëma, që kontrollohen nga grupe financiare, por jane biznese individësh. Domethënë kam disa para dhe hajde se po bëj bankë. Madje njëri nga këta lart ka shkuar është fshehur në Delaware për t’i shpëtuar taksimit të dyfishtë.

Por pse është shqetësuese kjo?

Bankat nuk janë biznes si firmat e ndërtimit, exchanget apo dyqanet e bukës. Janë biznes specifik, që nuk mund ta bëjë kushdo. FMN shqetësohet se prania e shumë bankave me pronësi domethënëse aksionesh nga individë dhe grupe jo- financiare e rrisin riskun e mungesës së kapitalit, te transaksioneve ndërmjet palëve të lidhura, dhe riskun e ekspozimeve të mëdha.

Dhe risqet për sistemin janë rritur. Për shkak edhe të rritjes së shpejtë të ndërtimit, mpleksjes së bankave me të, madje ndonjëherë edhe drejtëpërdrejtë, kjo është sfidë edhe për stabilitetin financiar.

Është e vërtetë që Banka e Shqipërisë zbaton disa kritere më të shtrënguara për bankat që nuk janë pjesë e grupeve financiare. Si për shembull i kufizon në shpërndarjen e dividentit dhe disa masa të tjera. Madje këta po protestonin për këtë punë, kerkonin të ndanin dividente. Gjithsesi kaq mund të mos mjaftojë. Arkitektura e sistemit bankar është bërë shumë më sfiduese se sa ka qenë. Ndaj FMN po i bie alarmit.

Click Here To Join Native Media
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com