Connect with us

Lajme

Ministri Çuçi sqaron/ Ja përse u largua Ardi Veliu

Publikuar

më

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, sqaroi arsyet e largimit nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Përse u largua drejtori i Policisë?

Dha dorëheqjen, absolutisht dha dorëheqje, ai ka gjykuar që të japë dorëheqjen, padiskutim është një dorëheqje që vjen jo e shtyrë dhe jo nën presion, por është një dorëheqje që ai e ka marrë në një moment dhe në një ushtrim të mandatit me shumë sukses sipas meje.

Si shpjegohet që lajmi doli rreth mesditës, ishit ju që latë të kuptohet që nuk është e vërtetë dhe pastaj doli që ishte i vërtetë. Në cilën orë e ka paraqitur dorëheqjen dhe a ishit ju në dijeni kur ishit në komision?

E rëndësishme është që nuk kemi të bëjmë me shkarkim. Unë nuk e di si ka qarkulluar lajmi. Unë kam qenë në mbledhjen e komisionit për 2 orë e gjysmë dhe nuk e kam ndjekur gjithë dinamikën e ecurisë së lajmit, por është e vërtetë që drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu, ka dhënë dorëheqjen dhe nuk është shkarkuar, sepse nuk ka pasur arsye. Mandati i Ardi Veliut është një mandat i suksesshëm.

Kur e kishit informacionin që Ardi Veliu do të jepte dorëheqjen?

Informacionin e mora pasi mbarova Komisionin e Sigurisë në parlament që Ardi Veliu dha dorëheqjen.

A keni biseduar me kryeministrin më parë për ta shkarkuar ose për ta larguar me një mënyrë, përmes shkarkimit, transferimit, ose përmes detyrimit për dorëheqje, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë?

Jo-jo, nuk është kjo dinamika fare. E vërtetë është që me kryeministrin edhe publikisht, ne kemi vënë objektivat për 4-vjeçarin e ardhshëm dhe padiskutim që fillojmë një mandat të ri dhe do kishim padiskutim një kërkesë të shtuar punës ndaj punës së Policisë dhe ndaj rezultateve të policisë, që duhet thënë padiskutim ka qenë një mandat i suksesshëm edhe 4-vjeçari që kemi kaluar.

A kishte lidhje dorëheqja e zotit Veliu me afatin 100 ditor që zoti Rama i dha Policisë së Shtetit për të vendosur një kontroll mbi territorin dhe problematikën e rendit në përgjithësi?

Përgjithësisht ka qenë një përpjekje e mirë nga ana e policisë, dhe padiskutim që kërkesat tona, janë shumë më tepër sepse nëse ka një gjë që kemi thënë dhe e kemi theksuar në programin e ri të qeverisë në mandatin e tretë është pikërisht kontrolli i territorit. Dhe besoj se në këtë pikë, ne duhet të bëjmë shumë më tepër.

Cilat kanë qenë pakënaqësitë tuaja zoti Çuçi. Zakonisht kur njeriu ikën e përcjellin me trumpeta. Po cilat kanë qenë pakënaqësitë tuaja ndaj Ardi Veliut?

Nuk është vendi për të thënë pakënaqësi, sepse unë kam pakënaqësi edhe ndaj vetes time në ushtrimin e detyrës time publike.

Kush janë pakënaqësitë që keni ndaj vetes?

Pakënaqësi që kemi ndaj vetes… i rreshtoj çdo ditë në mëngjes, kur ulem në tavolinën e ministrit dhe nuk është çështje bisede. Por po jua them me bindje të plotë, në kaq muaj si ministër, Ardi Veliu ka qenë një bashkëpunëtor shumë i mirë, i përkushtuar dhe profesionist.

Kush do të jetë drejtori i ardhshëm i Policisë së Shtetit? A është e vërtetë që keni diskutuar me kryeministrin, madje e keni vendosur pavarësisht se nuk është zyrtarizuar, emrin e zotit Nano.

T’ia lemë më mirë nesër, që të kemi lajme dhe për nesër.

Po jo ne kemi lajme të tjera për nesër, nuk ka problem ma jepni që sot meqë jemi në lidhje. Pra a do të jetë zoti Nano, drejtori i ardhshëm i Policisë së Shtetit?

Nesër ne mbledhim qeverinë dhe besoj do vendoset. Zoti Nano është një nga kandiaturave, por nesër do vendosim në mbledhjen e qeverisë.

A e ndjeni që rendi publik është vazhdimisht problematik në Shqipëri, sidomos kohët e fundit. 2 të vdekur dje në Elbasan në mes të rrugës, një avion pa asnjë shenjë dalluese që nuk e gjen as në Amerikën Latine, që ulet në Vermosh dhe largohen piloti me pasagjerin… një avion pa asnjë lloj sinjalistike dhe shumë probleme të tjera që kanë ndodhur. Pra a keni arritur në një përfundim, ka realisht probleme në Shqipëri së fundmi?

Jo nuk ka probleme të shtuara. Unë po ju përgjigjem vetëm me një statistike. Në 2013-n, kemi pasur 107 vrasje, në 2020 kemi pasur 52 vrasje. Nuk po bëjmë retorikë boshe, po i referohem vetëm statistikave, meqë përmendët vrasjet. Po ju flas me statistika që të mos hyjmë në debate të kota. Sepse më thatë a ka shqetësim të shtuar. Nuk ka shqetësim të shtuar, sigurisht lufta me krimin është e përditshme, do jetë dhe është një gjë që na shoqëron në gjithë zhvillimin tonë edhe shoqëron të gjithë botën e zhvilluar. E rëndësishme është që të mos dominojë krimi, por shteti. Unë besoj se ne jemi në situatën më të mirë në këto 30 vite, ku shteti ka në dorë të gjithë sigurinë e republikës dhe e them me bindje të plotë, se nëse në 2013-n kemi pasur 107 vrasje në 2020 kemi pasur vetëm 52 vrasje. Le t’ia lemë edhe 2021 statistikës, kur të mbarojë Dhjetori, por besoj se do ketë më pak edhe se 52 vrasje duke parë dhe trendin.  

A keni frikë që në ditët në vijim duke e lidhur edhe me deklaratat e kryeministrit për rritjen e çmimeve që mund të ketë protesta qytetare dhe a jeni të përgatitur për t’i menaxhuar ato?

Protesta është gjëja më e ligjshme në demokraci. E rëndësishme është të bëhen paqësore dhe besoj se policia ka pjekurinë e duhur për të menaxhuar çdo situatë që lidhet me protestat.

NA NDIQ NË FACEBOOK