Lajme
KSHZ, Lloga kundër vendimit për fletët e pavlefshme

Institucioni për organizimin e zgjedhjeve KSHZ ndryshoi edhe udhëzuesin për fletëvotimet e pavlefshme. Fletëvotim i vlefshëm do të llogaritet edhe ai që nuk posedon vulë por i plotëson të gjitha kushtet sipas Kodit zgjedhor, përkatësisht nëse është i rrethuar numri rendor para bartësit të listës ose kandidatit dhe ku përcaktimi i votuesit mund të konfirmohet pa mëdyshje. Fletëvotim i pavlefshëm llogaritet kur nuk është plotësuar ose janë rrethuar më shumë opsione. Ky vendim heq mundësinë që të pavlefshme të llogariten edhe fletëvotimet të cilat këshillat zgjedhor harrojnë ose nuk i vulosin para se tua japin votuesve.
“Edhe një herë apelojmë si KSHZ te këshillat zgjedhor që t’i përmbahen respektimit të nenit 109 të Kodit zgjedhor sepse përgjegjësia është e tyre.”- pohoi Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.
Me këtë vendim nuk pajtohet anëtari i KSHZ-së Krenar Lloga dhe e quan vendimin joligjor. Për këtë ai ka njoftuar me shkresë anëtarët e tjerë.
“Unë si anëtar i KSHZ-së nuk pajtohem dhe shpreh dyshime të mëdha për parregullsi zgjedhore për shkak se udhëzuesi ndryshohet pas rrethit të parë të zgjedhjeve. Udhëzuesi nuk është në përputhje me Kodin zgjedhor prandaj unë kërkoj menjëherë të tërhiqet ky vendim, në të kundërt unë do të drejtohem te Gjykata Administrative.”- tha Lloga.
Tashmë kanë përfunduar afatet për paraqitjen e personave të sëmurë dhe personave me vendim për izolim që të paraqiten për të votuar. Në bazë të numrit të të interesuarve, KSHZ-ja do të përgatisë edhe numrin e nevojshëm të trupave zgjedhor që duhet ta realizojnë votimin e tyre./Alsat/















