Connect with us

Lajme

Foltorja e Berishës, të premten në Lezhë/ Ja si pritet të rrjedhë procesi në PD, datat që mund të mblidhet Kuvendi

Published

on

Ish-Kryeministri Sali Berisha do të vijojë foltoren e rradhës në Lezhë, takim që do të mbahet ditën e premte, rreth orës 17:00.

Pritet që Foltorja e Lezhës të mbyllë turin e madh të takimeve të ish-Kryeministrit Sali Berisha me anëtarësinë dhe simpatizantët e PD, në një përpjekje për mbledhjen e firmave për thirrjen e një Kuvendit Kombëtar të Jashtëzakonshëm të kësaj partie.

Nga burime mësohet se nuk përjashtohet mundësia që Berisha të vijojë takimet në disa prej bashkive të vogla të vendit, si në degët e PD në Tiranë, ku edhe nisi Foltorja, për të vijuar në bashkitë e Pogradecit, Sarandës, Lushnjes etj, ndërsa prej 16 shtatorit ai nisi turin e takimeve në kryeqendrat e qarqeve.

Berisha ka deklaruar se Kuvendi Kombëtar i PD do të jetë statutor, pra do të miratojë ndryshimet në statut, të cilat sipas tij, do të garantojnë një proces të lirë dhe demokratik për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Demokratike, sipas parimit “një anëtar, një votë”.

Gjithashtu nga Kavaja, ku mbajti takimin pasditen e djeshme, ish-Kryeministri deklaroi se ai do të garojë për postin e kreut të PD.

Nga raportimet mësohet se deri ditën e djeshme, rreth 4 mijë delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD, ose mbi 50 % e numrit total, kanë firmosur për thirrjen e forumit më të lartë vendimmarrës në këtë parti.

Pritet që gjatë javës, ish-Kryeministri të deklarojë një datë propozuese se kur mund të mblidhet Kuvendi Kombëtar, që me shumë gjasë do të jetë një prej datave historike të kësaj partie, 8 ose 11 dhjetori.

Nga momenti i depozitimit të firmave që mbështesin thirrjen e Kuvendit Kombëtar, zyrtarët apo strukturat në PD, kanë një afat 30 ditor për verifikimin e firmave, edhe pse ky konsiderohet një proces formal, pasi në korrik të 2021, ishin të njëjtët delegatë që morën pjesë dhe votuan ndryshimet në statut.

Në anën tjetër kreu demokrat Lulzim Basha i ka qëndruar deklarimeve se nuk do të lejojë thirrjen e asnjë forumi, përfshirë edhe Kuvendin Kombëtar, për të diskutuar vendime të Qeverisë amerikane, sikundër quan ai shpalljen non grata të ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Secila nga palët, pra ata që kërkojnë mbledhjen e Kuvendit dhe ata që e kundërshtojnë atë, i referohen statutit të PD, ku ndër të tjera përcaktohet se ky forum mund të mblidhet edhe nga 1/4 e anëtarëve e delegatëve.

NA NDIQ NË FACEBOOK